Zgjedhjet para gjykatës: Kontestet zgjedhore në Kosovë

27.05.2021 D4D

Demokracia për Zhvillim (D4D) ka një trashëgimi dhe ekspertizë të gjatë në punën me partitë politike, organet e menaxhimit të zgjedhjeve, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet e drejtësisë për të promovuar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për të promovuar pjesëmarrjen e komuniteteve të margjinalizuara në proceset demokratike.

D4D ka qenë e përfshirë në një gamë të gjerë temash që kanë të bëjnë me zgjedhjet përfshirë reformën zgjedhore dhe kushtetuese, hulumtimin e sjelljes së votuesve, verifikimin e listës së votuesve, financat e partive politike, zgjidhjen e kontesteve zgjedhore, edukimin e votuesve, dhe përfshirjen e të rinjve, grave dhe bashkësive etnike.

Që nga viti 2014, D4D ka ofruar mbështetje kritike në ndërtimin e një sistemi të besueshëm dhe efektiv për zgjidhjen e kontesteve zgjedhore në Kosovë. Në vitin 2016, D4D ka mbështetur nënshkrimin e një memorandumi të mirëkuptimit në mes të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Panelit Zgjedhor për dhe Parashtresa (PZAP), Policisë së Kosovës (PK), Prokurorisë së Shtetit (PS) dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGC). Gjatë shtatorit 2020, drejtuesit e organeve të menaxhimit të zgjedhjeve dhe autoritetet e drejtësisë rinovuan Memorandumin e Mirëkuptimit, duke riafirmuar zotimin e tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Gjatë vitit 2020, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) u bashkua si një palë nënshkruese, duke siguruar një momentum të ri për adresimin e sfidave të reja të shfaqura si lajmet e rrejshme dhe dezinformatat.

Përgjatë viteve, D4D ka mbështetur punëtoritë e rregullta koordinuese[1] ndërmjet institucioneve, ka zhvilluar hulumtime mbi drejtësinë në zgjedhje[2] dhe ka përkrahur hartimin e një doracaku[3] për zgjidhjen e kontesteve për prokurorët dhe gjyqtarët.

Ky është edicioni i tretë i raportit të drejtësisë zgjedhore. Të dhënat e paraqitura në këtë raport përfshijnë: numrin e parashtresave dhe ankesave të paraqitura në PZAP, llojet e vendimeve dhe gjobat, numrin e rasteve penale kundër të drejtave të votimit në gjykata, numrin e komunave dhe vendvotimeve ku janë përsëritur votimet, numrin e vendvotimeve të rinumëruara dhe masat kundër ankesave ndaj mediave. Në rastet kur informacioni ishte në dispozicion, të dhënat u ndanë sipas natyrës së shkeljes, vitit dhe llojit të aktgjykimit.

Ky raport nuk do të ishte i mundur pa bashkëpunimin e institucioneve siç janë Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Prokuroria e Shtetit (PSH), Policia e Kosovës (PK), Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM).

 


[1] Tryeza: https://d4d-ks.org/aktivitetet/drejtesi-zgjedhore-ne-zgjedhjet-e-11-qershorit/

[2] Edicioni i parë: https://d4d-ks.org/punimet/vendosja-e-drejtesise-ne-zgjedhje/ ; Edicioni i dytë: https://d4d-ks.org/punimet/vendosja-e-drejtesise-ne-zgjedhje-cfare-eshte-vendosur-per-ankesat-apelet-dhe-lendet-penale-te-zgjedhjeve/

[3] Punëtoria: https://d4d-ks.org/aktivitetet/punetoria-per-azhurnimin-per-zgjidhjen-e-kontesteve-zgjedhore/