Vendosja e drejtësisë në zgjedhje

16.07.2015 Dardan Berisha

Qëllimi i përgjithshëm i këtij raporti është të përmirësoj koordinimin në mes të institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e zgjedhjeve dhe autoriteteve gjyqësore, duke shpalosur të dhëna ndërinstitucionale nga zgjedhjet e kaluara, dhe duke identifikuar masat që këto institucione mund të ndërmarrin për të avancuar koordinimin në të gjitha fazat e ciklit zgjedhor. Raporti është zhvilluar në kuadër të Projektit për Drejtësi në Zgjedhje, që financohet nga Departamenti Federal për Punë të Jashtme (FDFA) të Zvicrës.

Raporti mbulon të dhënat mbi: dënimet e shqiptuara për shkeljet administrative që ndërlidhen me zgjedhjet, mbikëqyrjen e financave të subjekteve politike, hetimin dhe zgjidhjen e kallëzimeve penale, si dhe veprimet e ndërmarra për ankesat ndaj mediave. Në rastet kur ka pasur informata të detajuara, të dhënat janë ndarë sipas natyrës së shkeljes gjatë procesit zgjedhor, llojin e aktgjykimit dhe komunën apo rajonin ku kanë ndodhur shkeljet e supozuara. Për të përgatitur këtë raport D4D ka mbledhur të dhëna të papërpunuara nga: Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Prokuroria Shtetërore (PSH), Policia e Kosovës (PK), Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM). Në vijim të këtij raporti, të dhënat nga këto institucione prezantohen në kapituj të veçantë.

Radhitja e kapitujve ndjek rrjedhën kronologjike të procedimit të lëndëve të zgjedhjeve, nga momenti kur kontestet dorëzohen, deri në momentin kur ato zgjidhen. Si hap i parë, pakënaqësitë e palëve gjatë procesit zgjedhor dorëzohen në PZAP, si instanca e parë përgjegjëse për shqyrtimin e ankesave dhe parashtresave zgjedhore. Si hap i dytë, KQZ si institucioni primar përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve mund të referojë rastet e dyshimta për parregullsi gjatë zgjedhjeve për shqyrtim të mëtutjeshëm në PSH. Si hap i tretë, PSH ka përgjegjësi për të bërë ndjekjen penale dhe hetimet para se të ngris aktakuzë në Gjykatën Themelore. Si hap i katërt, në mënyrë që të mblidhen prova dhe të përfundohen hetimet PSH mund të kërkoj ndihmë nga PK që është përgjegjëse për të ofruar ndihmën e nevojshme. Si hap i pestë, nëse ka prova të mjaftueshme se janë shkelur të drejtat e votimit, ngritet aktakuzë dhe lëndët që kanë të bëjnë zgjedhjet trajtohen në një nga Gjykatat Themelore të vendit, ku gjyqtarët shpallin aktgjykimet. Si hap i gjashtë, është me rëndësi të shikohen ankesat që ndërlidhen me shkeljet e pretenduara nga ana e mediave, e që trajtohen nga KPM. Të dhënat për apelet ndaj vendimeve të PZAP në Gjykatën Supreme janë përfshirë në kuadër të kapitullit për PZAP.

Raporti përfshinë edhe skemën e trajtimit të kontesteve zgjedhore gjatë vitit 2014, meqenëse vetëm për këtë vit të gjitha të dhënat kanë qenë të disponueshme. Skema e trajtimit të lëndëve e bënë më të lehtë vizualizimin e procesit të drejtësisë në zgjedhje, ngase deri në zgjidhjen përfundimtare të tyre, lëndët mund të qarkullojnë nga njëri institucion në tjetrin. Skema e trajtimit të lëndëve nganjëherë tregon mospërputhje (?) në kuptimin statistikor, apo mungesë të të dhënave. Kjo skemë është paraqitur në një faqe shtesë të veçantë të këtij publikimi, dhe mund të gjindet edhe në versionin elektronik.

Raporti përfundon me rekomandime të shtruara në formë të listës së veprimeve të mundshme që secili institucion mund të ndërmarrë, përgjatë fazave të ndryshme të ciklit zgjedhor, me qëllim të forcimit të zingjirit institucional. Këto rekomandime përfshijnë kontributin e akterëve të ndryshëm, duke përfshirë përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e zgjedhjeve, gjyqtarët, prokurorët, zyrtarët e policisë dhe ekspertët e zgjedhjeve nga radhët e shoqërisë civile.

Përgatitja e këtij raporti nuk do të ishte e mundshme pa bashkëpunimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorinsë Shtetërore, Policisë së Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, dhe Komisionit të Pavarur të Mediave. Me kërkesën tonë këto institucione kanë ofruar qasjen në të dhënat e disponueshme me kohë, dhe vazhdimisht kanë qenë të hapur për konsultime dhe sqarime.

Punim i përgatitur me kontribute nga: Driton Qeriqi, Mjellma Hapçiu-Alijaj dhe Rina Vokshi.