Gratë e Fuqizuara-Fuqizojnë Gratë

14.05.2024

Mbështetja e grave për gratë është një fushë e pa eksploruar në Kosovë që kërkon ndryshim thelbësor në mënyrën se si ne e shohim këtë aspekt të mbështetjes dhe të trajtimit të kësaj mbështetjeje si mekanizëm i fuqishëm i ndryshimit.

Në sektorin e OJQ-ve vërehet se konkurrenca në tregun e punës ka vënë më shumë presion dhe fokus në aftësitë dhe përvojën e punëtorëve sesa në dëshirën për të punësuar gra në veçanti, si shenjë mbështetjeje për gratë e tjera. Megjithatë, në sferën politike, e sidomos në nivelin lokal shohim përvoja ku gratë mendojnë se jetën më të vështirë u a bëjnë gratë e tjera sesa burrat.

Gratë që tashmë i kanë arritur objektivat e tyre ndjejnë një lloj përgjegjësie për gratë e tjera në të njëjtin sektor, veçanërisht kur i kujtojnë vështirësitë e tyre personale.

Stereotipet dhe paragjykimet e zakonshme për gratë në vendin e punës ndikojnë në solidaritetin dhe mbështetjen e tyre për njëra-tjetrën. Sjellja e “bletës mbretëreshë” është një aspekt që paraqitet në kontekstin e këtyre paragjykimeve, që tregon një dinamikë konkurruese dhe mungesë solidariteti ndërmjet grave. Kjo shkakton pengesa për të krijuar një mjedis të barabartë dhe mbështetës ndërmjet grave në vendin e punës.

Disa gra të sapo-punësuara ankohen për mungesë të rrjeteve mbështetëse kur fillimisht hyjnë në fuqinë punëtore. Kjo tregon nevojën për nisma dhe programe që promovojnë mentorimin dhe rrjetëzimin e grave në punë. Organizatat dhe punëdhënësit kanë rol të rëndësishëm në krijimin e një mjedisi ku ka mbështetje dhe barazi në punë. Politikat dhe praktikat e tyre për trajtimin e ngacmimit seksual, diskriminimit dhe promovimin e diversitetit dhe të përfshirjes, kanë një ndikim të madh në përvojën e grave në vendin e punës.

Gratë që hyjnë sot në tregun e punës kanë më shumë mundësi, me qasje më të madhe të praktikës në punë dhe në programet e aftësimit profesional. Megjithatë, ato shpesh përballen me sfida për shkak të numrit të madh të kandidatëve të kualifikuar në tregun e punës, përfshirë punëtorët me njohuri dhe aftësi përkatëse që i kanë arritur përmes arsimimit jashtë vendit.

Ekuilibri mes familjes dhe jetës profesionale, si dhe avancimi në karrierë kërkon shpesh që gratë të bëjnë sakrifica të mëdha dhe të navigojnë nëpër sfida sistematike. Pushimi i lehonisë nënvizon pabarazitë e vazhdueshme, pasi gratë shpesh qëndrojnë në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijën e tyre, ndërsa burrat e përdorin këtë kohë për avancimin e karrierës së tyre.
Stereotipet e përdorura dhe konkurrenca janë pengesa për pjesëmarrje të barabartë të grave në tregun e punës.

Një nga arsyet pse gratë e perceptojnë veten si armike, e jo si aleate është mungesa e modeleve të mëparshme dhe e përfaqësimit autentik.

Në mjediset ku mundësitë e avancimit në karrierë janë të kufizuara ose shumë konkurruese, gratë me mundësi të kufizuara zhvillimi i perceptojnë gratë e tjera si rivale të avancimit të tyre profesional.

Tri pengesat më të rëndësishme sa i përket udhëheqjes së grave në menaxhim në Mal të Zi janë: përgjegjësitë familjare, përvoja e pamjaftueshme e përgjithshme në përputhje me rolin në menaxhim dhe rolet shoqërore që caktohen për burrat dhe gratë.