Dezinformimi dhe gjuha mizogjene me bazë gjinore përbëjnë një sfidë serioze për barazinë dhe përfshirjen e grave në jetën publike, veçanërisht në kontekste politike dhe mediatike. Në epokën digjitale, ku informacioni përhapet me shpejtësi nëpërmjet rrjeteve sociale dhe mediave online, gratë në politikë janë shpesh në shënjestër të sulmeve seksiste, objektifikimit dhe fushatave të koordinuara të dezinformimit që synojnë të dëmtojnë integritetin dhe besueshmërinë e tyre. Ky raport paraqet rezultatet e monitorimit gjashtëmujor të përmbajtjeve mediatike dhe digjitale në Kosovë, duke u fokusuar në periudhën dhjetor 2024 – maj 2025, e cila përfshin edhe fushatën zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në shkurt 2025. Gjatë kësaj kohe, është vërejtur një intensifikim i rasteve të gjuhës së urrejtjes dhe seksizmit digjital, sidomos ndaj grave kandidate dhe deputeteve në Kuvendin e Kosovës.
Qëllimi i raportit është të analizojë natyrën, shtrirjen dhe format e dezinformimit dhe gjuhës diskriminuese me bazë gjinore në sferën publike digjitale, duke ofruar shembuj konkretë, të dhëna statistikore dhe raste ilustrative. Përmes këtij dokumenti synohet të kontribuohet në ndërgjegjësimin publik, përmirësimin e standardeve të raportimit mediatik dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës për pjesëmarrjen e barabartë të grave në jetën politike dhe shoqërore.