Zgjedhje në kohë pandemie: Menaxhimi kundrejt Pasojave

20.03.2021 Blerinë Ukshini

Pandemia Covid-19 ka ndryshuar rrjedhën e funksionimit të shumë shteteve në të gjitha fushat. Përveç dëmeve shëndetësore dhe socio-ekonomike që padyshim janë më të mëdhatë në këtë mes, situata ka ndikuar edhe në zhvillimet politike e institucionale, sidomos tek vende të cilat kanë pasur një vit zgjedhor, në nivel nacional apo atë lokal. Qëllimi i këtij dokumenti është të ofrojë një pasqyrë për ndikimin e pandemisë Covid-19 në organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve, duke përfshirë rrezikun për përhapje të virusit. Dokumenti përfshinë rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve si formë demokratike për qeverisje, praktikat nga shtetet e rajonit të cilat kanë mbajtur zgjedhjet në vitin 2020, si dhe analizimin e kapaciteteve të Kosovës për organizimin e tyre në kohë pandemie.

Po ashtu, një pjesë e rëndësishme padyshim që janë rekomandimet, në bazë të të cilave Subjektet Politike, Kandidatët për Anëtarë të Kuvendeve të Komunave, Elektorati, Vëzhguesit e Akredituar dhe Institucionet që merren me organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve duhet t’i kenë parasysh në zgjedhjet e ardhshme në nivel lokal të cilat do të organizohen po këtë vit, në kohë pandemie.

Përgatitja e këtij dokumenti u bë në bazë të analizimit të të dhënave zyrtare nga shtetet që kanë mbajtur zgjedhjet gjatë kohës së pandemisë Covid-19, raporteve nga organizata nacionale, analizimin e të dhënave statistikore për rastet pozitive me Covid-19 nga të dhënat e IKPSHK-së si dhe monitorimin e vazhdueshëm të fushatës elektorale dhe aktiviteteve të tjera në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvend të Kosovës të cilat u mbajtën me 14 shkurt 2021.