Hapësira digjitale është shndërruar në një nga arenat kryesore të komunikimit politik dhe të formësimit të opinionit publik në Kosovë. Mediat online dhe rrjetet sociale u mundësojnë qytetarëve qasje të shpejtë në informacion dhe ndërveprim të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit politikë. Megjithatë, këto platforma përdoren gjithnjë e më shumë edhe për përhapjen e dezinformimit, gjuhës së urrejtjes dhe sulmeve personale, të cilat prekin në mënyrë të veçantë gratë e angazhuara në jetën politike.
Gratë politikane përballen jo vetëm me kritikë ndaj qëndrimeve dhe veprimtarisë së tyre publike, por edhe me sulme që synojnë gjininë, pamjen, moralin, familjen dhe jetën e tyre private. Në shumë raste, debati përmbajtësor zëvendësohet nga etiketime denigruese, insinuata, stereotipe patriarkale dhe narrativa të pavërteta. Këto forma të dhunës digjitale cenojnë autoritetin dhe kredibilitetin e grave, duke e bërë pjesëmarrjen e tyre në jetën publike më të vështirë dhe më të pasigurt.
Ky është raporti i katërt periodik që Demokraci për Zhvillim (D4D) publikon në kuadër të monitorimit të trajtimit të grave politikane në hapësirën digjitale. Përmes kësaj serie raportesh, D4D synon të evidentojë në mënyrë të vazhdueshme tendencat, narrativat dhe format e sulmeve digjitale ndaj grave në politikë, si dhe ndryshimet e tyre në periudha të ndryshme të zhvillimeve politike.
Raporti analizon mënyrën se si gratë politikane në Kosovë janë përfaqësuar, diskutuar dhe trajtuar në mediat online dhe në rrjetet sociale gjatë periudhës maj–korrik 2026. Periudha e monitorimit përfshin fushatën, zgjedhjet e 7 qershorit dhe zhvillimet paszgjedhore, të cilat prodhuan një intensitet të lartë raportimi, ndërveprimi dhe diskutimi publik. Kjo e bën periudhën veçanërisht të rëndësishme për të kuptuar se si rritja e vëmendjes politike ndikon në ekspozimin e grave ndaj sulmeve dhe përmbajtjeve manipuluese.
Përmes ndërthurjes së analizës sasiore dhe cilësore, raporti shqyrton vëllimin dhe dinamikën e raportimit mediatik, ndërveprimet e publikut dhe praninë e gjuhës së urrejtjes në komentet online. Në total, janë analizuar 150,103 komente, prej të cilave 13,320, ose 9%, janë klasifikuar si gjuhë e urrejtjes. Raporti trajton gjithashtu raste konkrete të përmbajtjeve të pavërteta, sensacionaliste dhe me bazë gjinore ndaj grave politikane, duke evidentuar narrativat dhe teknikat e përdorura për delegjitimimin e tyre.
Qëllimi i raportit është të kontribuojë në kuptimin më të mirë të rreziqeve me të cilat përballen gratë në hapësirën digjitale dhe të nxisë përgjegjësi më të madhe nga mediat, partitë politike, institucionet publike dhe platformat teknologjike. Mbrojtja e grave nga dezinformimi dhe dhuna digjitale nuk lidhet vetëm me sigurinë dhe dinjitetin individual, por edhe me cilësinë e debatit demokratik dhe garantimin e pjesëmarrjes së barabartë në politikë.
