Udhërrëfyesi për anëtarësim në Bashkimin Evropian: Dy skenarë për Kosovën

08.10.2020 Demush Shasha

Kosova është në fillet e procesit integrues në Bashkimin Evropian. Në prill 2016 ka hyrë në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) e cila është marrëveshja e parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së dhe përbën hapin e parë zyrtar drejt anëtarësimit në BE. Procesi i anëtarësimit në BE është një proces shumë kompleks dhe sfidues. Reformat evropiane kërkojnë vullnet të palëkundur politik, burime të mjaftueshme financiare, administratë profesionale publike dhe përkrahje të gjerë diplomatike brenda BE-së. Prandaj, me këtë udhërrëfyes, kemi tentuar të shpjegojmë çdo hap të procesit integrues dhe informatave kyçe për anëtarësim në BE.

Në kuadër të udhërrëfyesit për anëtarësim në BE, kemi tentuar të paraqesim dy skenarë të mundshëm të afateve kohore të Kosovës për anëtarësim në BE, skenarin optimist dhe pesimist. Në afatin optimist, Kosova mund bëhet vend anëtar i BE-së deri në vitin 2030. Kjo do ishte tejet ambicioze, por në përputhje me përvojën integruese të Kroacisë. Një gjë e tillë do kërkonte vullnet të palëkundur për reformat në sundimin e ligjit, progres në dialogun me Serbinë dhe bashkëpunim të plotë me Gjykatën Speciale. Gjasat që Kosova të jetësoj këtë skenar janë jashtëzakonisht të vogla. Ndërsa, në afatin pesimist, Kosova mund bëhet vend anëtar i BE-së deri në vitin 2050. Kjo do ishte në përputhje me përvojën integruese të Shqipërisë dhe vendeve që ende janë në procesin negociator (Mali Zi dhe Serbia).

Sidoqoftë, përtej afateve, çdo gjë do varet nga Kosova dhe në këtë drejtim përvoja nuk është në favorin tonë. Katër vite kanë kaluar nga hyrja në fuqi e MSA-së. Kosova nuk ka arritur të zbatoj me sukses obligimet që dalin nga MSA. Me këtë trend të vullnetit politik, skenari pesimist është pothuajse i garantuar. Po ashtu, duhet njohur disa faktorë të jashtëm – brenda BE-së mungon apetiti për përshpejtimin e procesit të zgjerimit. Kosova ende nuk njihet nga pesë vendet anëtare të BE-së. Përderisa deri me sot, institucionet e BE-së kanë gjetur një zgjidhje praktike ligjore për të evituar veton e pesë vendeve anëtarë, hapat e ardhshëm në rrugën tonë integruese do të kërkojnë njohjen nga pesë vendet anëtare të BE-së. I gjithë ky kontekst politik do të ndikoj në rrugëtimin Evropian të Kosovës. Nuk mund ta dijmë se cila do jetë e ardhmja, prandaj vetëm shpresojmë se me këtë publikim do ofrojmë disa informata të reja të cilat do na ndihmojnë për tu përgatitur sa më mirë për të ardhmen që na pret.