• Shqip

Monitorimi i Mediave gjatë muajve Korrik-Gusht 2023

15.03.2024

Gjatë muajit korrik 2023, Instituti D4D ka bërë monitorimin e mediave online dhe rrjeteve sociale në Kosovë. Gjatë kësaj periudhe janë analizuar 1500 artikuj me përmbajtje të çrregullimeve të informacionit në gjuhën shqipe dhe serbe. Gjatë periudhës monitoruese, Instituti D4D ka gjetur se temat me çrregullime të informacionit që kanë dominuar kanë qenë: tensionet në komunat me shumicë serbe në Kosovë, publikimi i përgjimeve të Kryetares së Grupit Parlamentar të LVV-së Mimoza Kusari-Lila, si dhe përleshja fizike e deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Gjatë këtij muaji, Instituti D4D ka monitoruar dhe analizuar në mënyrë aktive ngjarjet e përshkruara më poshtë, në artikujt e mediave dhe portaleve online në gjuhën shqipe dhe serbe. Një nga zhvillimet kryesore gjatë kësaj periudhe ka qenë përdorimi i intelegjencës artificiale
për të krijuar video me përmbajtje të pavërtetë duke përdorur zërin dhe pamjet e personaliteteve të ndryshme politike, apo ndryshe te njohura si ‘deepfake’. Së fundmi është përdorur inteligjenca artificiale ku janë targetuar figurave të rëndësishme politike për të gjeneruar audio-biseda të paverteta duke përdorur çështje sensitive për të nxitur reagime me gjuhë të urrejtjes dhe duke tensionuar edhe më shumë raportet ndër-etnike në Kosovë. Krahas zhvillimeve në komunat me shumicë Serbe, e, ndër temat me më së shumti çrregullime të informacionit gjatë muajit korrik në mostrën e monitorimit në gjuhën shqipe, kanë qenë zhvillimet politike në Kuvendin e Kosovës, perfshirë rrahjen e deputetëve në
Kuvend, ngjarje e cila ka nxitur dezinformata dhe gjuhë të urrejtjes duke forcuar kështu edhe më shumë ndasitë politike.
Ngjarjet në këto katër komuna në veri të Kosovës gjatë monitorimit janë mbuluar më shumë nga mediat në gjuhën serbe krahasuar me mediat në gjuhën shqipe, sa i përket përmbajtjeve me çrregullim të informacionit.

Gjatë muajit gusht 2023, janë analizuar 500 artikuj në mostrën në gjuhën shqipe dhe 500 në mostrën në gjuhën serbe. Gjatë muajit gusht narrativa e cila ka mbizotëruar më shumë në mostrën e gjuhës serbe, e cila sipas artikujve të identifikuar si më poshtë ka qenë se: “Terroristët e Kurtit TMERROJNË SERBËT” dhe “Kurti ka plane për të nxjerrë 40 serb në rrugë…”. Kështu duke pasur aludime në shumë artikuj në gjuhen serbe që kanë shpërndarë dezinformata që Kryeministri Kurti ka plane për ‘shtypjen’ dhe ‘terrorizimin’ e minoritetit serb në Kosovë.
Ndërsa në mostrën në gjuhën shqipe dy temat që kanë dominuar, kanë qenë rreth zhvillimeve politike në Kosovë, siç është arrestimi i biznesmenit, Ridvan Muharremi i cilësuar si person i afërt me Kryeministrin Albin Kurti dhe gjuha e përdorur nga Hysni Klinaku, ushtrues i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Ndërsa dy kategoritë që kanë dominuar në mostrën në gjuhën shqipe kanë qenë polarizimi politik dhe gjuha e urrejtjes.
Gjithashtu, në përgjithësi gjatë monitorimit të mediave dhe portale online në muajin gusht, nga ana e mediave është vërejtur hiperbolizimi dhe dramatizimi i titujve të artikujve të publikuara, me qëllim të rritjes së klikueshërisë (clickbait).

Ky raport është përgatitur nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në kuadër të projektit “Mbulueshmëria dhe kuptueshmëria e çrregullimit të informacionit në Kosovë”, që mbështetet nga NDI dhe USAID në Kosovë. Përmbajtja e dokumentit është përgjegjësi e Institutit Demokraci për Zhvillim dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron qëndrimin e NDI Kosovo.