Monitorimet mujore nga korriku i vitit 2023 deri më sot kanë rezultuar me forma të ndryshme të çrregullimit të informacionit. Nga lajme të paverifikara, informata të manipuluara, tituj konspirativ e të bujshëm, e deri te përmbajtja e gjeneruar nga inteligjenca artificiale, kanë mbizotëruar në ambientin mediatik në Kosovë.
Artikuj me përmbajtje të çrregullimeve të informacionit që nxisin tensione politike dhe konflikt ndër-etnik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishin prezentë përgjatë muajit korrik. Pas marrjes së detyrës në objekte komunale të katër kryetarëve të komunave në veri të Kosovës, shumë politikanë, gazetarë dhe opinionistë nga Kosova dhe Serbia kanë qenë të përfshirë në shpërndarjen e narrativave nacionaliste dhe përçarëse që nxisin urrejtje ndëretnike. Shumë portale online dhe llogari në rrjete sociale, në gjuhën serbe dhe shqipe, gjatë zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës kanë shpërndarë informacione të paverifikuara gjatë situatës së tensionuar në komunat me shumicë serbe, duke kontribuar kështu në ndasi më të thella ndëretnike, shtimit të gjuhës së urrejtjes, dhe pasiguri tek qytetarët.
Në mostrën në gjuhën shqipe kanë dominuar artikuj dhe raportime në lidhje me sulmin në Banjskë, ku mediat televizive në përgjithësi kanë treguar kujdes gjatë raportimeve dhe publikimeve të informatave, ndërsa mediat online kanë publikuar informacione të paverifikara dhe kanë shpërndarë dezinformata. Mediat online kryesisht kanë shpërndarë fotografi dhe video të marra nga vende dhe ngjarje të mëparshme, që janë përdorur si materiale në lidhje ngjarjen e 24 shtatorit në Banjskë. Nga portalet online janë publikuar imazhe të ushtarëve nga Ukraina dhe Azerbajxhani. Po ashtu nga portalet online, janë vërejtur narrativa kosnpirative, në lidhje me tensionet në Banjskë dhe ngjarjeve që mund të ndodhin pas tensioneve të shtatorit. Aludimet konspirative në shumicën e rasteve kanë përmbajtje negative të cilat mund të përhapin pasiguri te lexuesit, dhe bazohen në mendime subjektive të cilat citohen dhe përdoren në titull dhe në përmbajtje.
Narrativa më e përhapur gjatë monitorimit njëvjeçar në mostrën në gjuhën serbe ka qenë “regjimi” dhe “spastrimi etnik” i Kurtit ndaj serbëve në veri të Kosovës. Supozimet në fjalë, krijojnë përshtypjen e gabuar të situatës në Kosovë, dhe krijohet një realitet tjetër për qytetarët në Serbi apo për lexuesit e mediave serbe.
Politikanët e Kosovës, veçanërisht gratë në politikë, kanë qenë shënjestër e dhunës online dhe komenteve misogjene përmes “meme” dhe artikuj që përmbanin gjuhë nxitëse. Gratë në politikë ishin veçanërisht në shënjestër për “deepfake”[1], dezinformata dhe gjuhë mizogjene. Gjithashtu, gratë politikane janë kërcënuar edhe me dhunë fizike për pikëpamjet e tyre politike gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë.
Keqinterpretim i informacionit, siç ishte fjalimi i Presidentit të Francës, Emanuel Macron është edhe një ndër lajmet më të shikuara të muajit tetor. Për shkak të një gabimi në përkthim, mediat në Kosovë dhe Shqipëri raportuan se liberalizimi i vizave për Kosovën u “pezullua”.
Samiti në Spanjë, po ashtu ishte temë kryesore në mediat serbe, ku të ftuar ishin liderë nga vendet e Evropës, përfshirë këtu edhe nga Kosova dhe Serbia. Pas deklaratës së Presidentes Osmani se nuk do të takohej me Presidentin Vuçiq nëse BE-ja nuk vendos sanksione për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë. Këtë deklaratë mediat në Serbi e konsideruan si hipokrizi nga ana e Presidentes Osmani, duke thënë se ajo ka udhëtuar në Spanjë me pasaportë serbe pa probleme dhe pa kushte. Një informatë e tillë keqinformon lexuesit serb për situaten politike në Kosovë.
[1] Korshunov, P., & Marcel, S. (2018). Deepfakes: a new threat to face recognition? assessment and detection.arXiv:1812.08685.