Mediat JO-sociale II: Gjuha e urrejtjes sensacionaliste online ndaj grave në politikë

19.01.2026

Ky raport shqyrton mjedisin informativ në media sociale gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të vitit 2025 në Kosovë, duke analizuar dinamikat digjitale politike në të dy nivelet e qeverisjes. Duke mbuluar periudhën nga dhjetori 2024 deri në nëntor 2025, raporti ofron një vlerësim gjithëpërfshirës të mënyrës se si diskursi online ndikon në pjesëmarrjen politike dhe në perceptimin publik. Studimi fokusohet në katër fusha kyç: dhuna ndaj grave në politikë (ang. Violence Against Women in Politics, e njohur me akronimin VAW-P) në mjedise online; çrregullimet e informacionit me bazë gjinore; sjellja e koordinuar jo-autentike; dhe përdorimi i inteligjencës artificiale në politikë.

Me zgjerimin e angazhimit digjital, përfaqësimi edhe ashtu i brishtë i grave në sferën publike përballet me presione gjithnjë e më të shtuara. Analiza tregon se dhuna online ndaj grave në politikë është sistemore, përdoret në mënyrë strategjike dhe shpesh i jepen ngjyrime sensacionaliste për të gjeneruar angazhim të lartë. Gratë në politikë ekspozohen në mënyrë të vazhdueshme ndaj sulmeve mizogjene, të seksualizuara dhe të ngarkuara me elemente morale, të cilat e zhvendosin vëmendjen nga debatet programore dhe politikat publike, duke instrumentalizuar jetën e tyre private, pamjen apo marrëdhëniet personale. Përmbajtjet e vendosura në suaza satirike ose argëtuese shpesh e maskojnë armiqësinë, duke mundësuar përhapjen e gjerë të narrativave mizogjene.

Gratë nga komunitetet jo-shumicë përballen me diskriminim të shumëfishtë, ku sulmet me bazë gjinore ndërthuren me retorikë etnike apo nacionaliste. Raporti konstaton se këto narrativa shpesh janë të koordinuara, amplifikohen përmes rrjeteve partiake dhe përkeqësohen më tej nga dobësitë e platformave digjitale dhe përmbajtjet e reja të gjeneruara me inteligjencë artificiale (ang. Artificial Intelligence, në vijim AI). Në përgjithësi, rritja e dukshmërisë gjatë cikleve elektorale e shton ekspozimin e grave ndaj abuzimit online, duke minuar kredibilitetin, autoritetin dhe pjesëmarrjen e tyre të barabartë në jetën politike.

Ky raport është realizuar me mbështetjen e projektit “Mbështetje për shoqërinë civile në Kosovë”, financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe implementuar nga LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.