Fuqizimi i qëndrueshmërisë ndaj dezinformimit përmes mendimit kritik dhe edukimit mbi demokracinë në Kosovë

08.07.2026 Instituti D4D

Kosova po përballet me një çrregullim informativ ku dezinformimi po kthehet në një problem strukturor që cenon mirëqenien shoqërore dhe institucionet demokratike. Tekstet aktuale shkollore janë të vjetruara dhe nuk adresojnë rreziqet moderne si inteligjenca artificiale (deepfakes), algoritmet e rrjeteve sociale apo censurën e turmave. Për më tepër, ekziston një hendek i madh mes aftësive teknike të nxënësve dhe kapaciteteve pedagogjike të mësimdhënësve për të trajtuar këto tema në mënyrë kritike.

Për të trajtuar këtë, ky dokument propozon kalimin nga metodat pasive të mësimdhënies drejt vaksinimit psikologjik. Duke u bazuar në praktikat e vendeve baltike, qëllimi është që nxënësit të mos mësojnë vetëm si të korrigjojnë një lajm të rremë, por të identifikojnë teknikat e manipulimit përpara se të ekspozohen ndaj tyre. Platforma verifiko e zhvilluar nga Instituti D4D mund të shërbejë si mjet praktik për të integruar këtë edukim përmes lojërave, debateve dhe rasteve reale që mund të shfrytëzohet nga nxënësit, prindërit dhe arsimtarët.

Për të arritur një ndikim të qëndrueshëm, propozohet një qasje e koordinuar në tre shtylla:

Institucionalizimi i planprogramit: Edukimi medial nuk duhet të mbetet fragmentar, por të integrohet si lëndë obligative në klasët 9-12 të shkollave e mesme, si dhe të trajtohet si kompetencë ndërkurrikulare në lëndët si gjuhë shqipe, histori dhe TIK.

Ngritja e kapaciteteve: Kalimi i mësimdhënësve nga roli i ligjëruesit në atë të lehtësuesit (facilitator) përmes trajnimeve intensive mbi etikën digjitale dhe AI, duke caktuar një mësues përgjegjës (Lead) për edukim medial në çdo shkollë.

Përfshirja e ekosistemit: Krijimi i një ure bashkëpunimi mes institucioneve, shkollës, prindërve dhe shoqërisë civile, që përfshin krijimin e moduleve specifike për prindërit në platformën shkollat.org dhe mbështetjen e klubeve shkollore për verifikim të fakteve.

Deri në vitin 2026, Kosova duhet të synojë harmonizimin e sistemit të saj arsimor me Standardet Evropiane të Qytetarisë Digjitale. Qëllimi përfundimtar është krijimi i një gjenerate të mbrojtur nga manipulimi, e cila kontribuon aktivisht në një hapësirë publike të shëndetshme dhe transparente.

Objektivat kryesore:

  • Institucionalizimi: Integrimi i edukimit medial si lëndë obligative (klasët 9-12) dhe kompetencë ndërkurrikulare.
  • Ngritja e Kapaciteteve: Transformimi i mësimdhënësve në lehtësues të procesit përmes trajnimeve mbi etikën digjitale dhe AI.
  • Bashkëpunimi: Përfshirja e prindërve dhe shoqërisë civile përmes platformës shkollat.org, verifiko.info dhe klubeve të verifikimit të fakteve