KOSTO E PABARAZISË: FINANCIMI I FUSHATËS ZGJEDHORE SË GRAVE KANDIDATE

07.09.2021 Valëza Zogjani

Përmes kësaj analize synohet të kuptohet lidhshmëria mes financimit të partive politike dhe pjesëmarrjes politike të grave, duke u nisur në premisën se financimi i fushatës zgjedhore ka ndikim direkt në zgjedhshmërinë e grave për ulëse legjislative. Duke pasur parasysh sfidat që gratë kandidate për deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës kanë në procese zgjedhore, specifikisht si pasojë e mungesës së financimit të fushatës zgjedhore, kjo analizë tenton të hedhë dritë mbi praktikat e subjekteve politike në Kosovë në distribuimin gjinor të fondeve partiake të dedikuara për fushata zgjedhore.

Duke përdorur hulumtim dokumentar, përkatësisht analizën e kornizës ligjore që rregullon çështjet e financimit të subjekteve politike dhe fushatave zgjedhore, si dhe hulumtimin parësor të realizuar me gra kandidate për deputete të gjashtë subjekteve politike në Kosovë në shtatë legjislaturat e fundit të Kuvendit – përkatësisht gra kandidate nga Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Partia Socialdemokrate, dhe Nisma Socialdemokrate, si dhe me zyrtarë financiarë të këtyre subjekteve politike, raporti analizon koston e zhvillimit të fushatës zgjedhore si dhe nivelin e mbështjetjes së subjekteve politike për kandidatët në lista zgjedhore në përgjithësi, dhe grave kandidate në veçanti. Konkretisht, duke marrë parasysh nivelin jo të kënaqëshëm të përfaqësimit të grave deputete në Kuvendin e Kosovës, raporti tenton të kuptojë nëse mungesa e mbështetjes së duhur financiare për fushatë zgjedhorë të grave kandidate për deputete ndikon në zgjedhshmërinë e tyre për ulëse parlamentare.

Të gjeturat kryesore nga intervistat me gra kandidate për deputete, si dhe zyrtarë financiarë nga subjektet politike të lartpërmendura në këtë raport, janë:

  • 50% e të anketuarave tregojnë që kosto financiare e zhvillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhje parlamentare kap shifrën prej 2000 deri në 5000 euro për një kandidate.
  • Fushatat zgjedhore e 50% të të anketuarave financohen nga mjetet vetanake, dhe 50% e të intervistuarave pohojnë se shpenzimet zgjedhore mbulohen në kombinim me mjete vetanake dhe mjete nga subjektet politike.
  • 75% e të anketuarave nuk marrin asnjë mbulim financiar për derivate të veturave përgjatë udhëtimeve në kohë fushate, dhe vetëm 25% e grave kanë qasje në veturat e subjekteve politike për t’i shfrytëzuar për takimet gjatë fushatës zgjedhore.
  • Qasje në vullnetarë dhe asistencë logjisitike nga subjektet politike për organizim dhe koordinim të aktiviteteve elektorale kanë vetëm 38% e të anketuarave.
  • 50% e të anketuarave pagujnë individualisht hapësirat publike që shfrytëzohen për takime dhe tubime elektorale me qytetarë.
  • 75% e të anketuarave ndjehen të diskriminuara brenda subjekteve politike në procesin e ndarjes së resurseve humane dhe financiare gjatë fushatës zgjedhore.
  • 50% e të anketuarave konsiderojnë që rregullimi i brendshëm i subjekteve të tyre politike lidhur me paraqitjet mediale të kandidatëve në kohë fushatë ofron mundësi deri diku të barabarta mes burrave dhe grave kandidate, ndërsa 13% konsiderojnë se rregullimi i subjekteve të cilave u takojnë diskrimon tej mase gratë.
  • 100% e të anketuarave konsiderojnë se mbështetja e subjekteve politike lidhur me paraqitjet mediale ka rol në zgjedhshmërinë e tyre si deputete.
  • Vetëm 13% e të anketuarave mendojnë se mosprezenca e grave kandidate në media nuk luan rol në zgjedhshmërinë e tyre si deputete.
  • Vetëm 1 në 4 respondente (25%) pohojnë që brenda subjekteve të tyre politike ka transparencë në menaxhimin e resurseve financiare duke ofruar qasje të plotë në menaxhimin financiar.
  • Vetëm 25% e respondenteve thonë që për subjektet e tyre çështjet e grave janë rrënjësore dhe se gratë janë pjesë e gjithë procesit të menaxhimit dhe shpërndarjes së resurseve financiare gjatë fushatës zgjedhore.
  • Asnjëra nga subjektet politike të intervistuara nuk kanë rregullore të brendshme për fonde të veçanta për të mbështetur gratë kandidate në fushatë zgjedhore.

Subjektet politike konsiderojnë që nuk kanë praktika diskriminuese për gratë kandidate në zgjedhje, duke përfshirë ndarjen e fondeve dhe resurseve humane në kohë fushate.

2021-07-27 D4D_Raporti_02-AL