Ky dokument ka për qëllim të identifikojë arsyet pse një përqindje e konsiderueshme e grave të moshës së punës janë joaktive në tregun e punës në Kosovë, dhe të ofrojë masa korrigjuese. Duke përdorur hulumtime të dorës së parë përmes anketave dhe diskutimeve me palët kyçe të interesit, dokumenti ka hedhur dritë mbi faktorët shoqërorë dhe kulturorë që pengojnë angazhimin e grave në tregun e punës.
Vetëm një në tetë gra në Kosovë është ose duke kërkuar punë ose e punësuar[i], dhe kjo e radhit Kosovën si një ndër vendet me shkallën më të ulët të pjesëmarrjes së grave në Evropë[ii]. Përjashtimi i grave nga fuqia punëtore është një prej vështirësive kyçe në zhvillimin e përgjithshëm në Kosovë.[iii]
Anketa, detajet e të cilës janë sqaruar në metodologji, ka treguar se përgjegjësitë e kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit, dhe mungesa e përgjithshme e mundësive të punësimit janë problemet kryesore që pengojnë përfshirjen e grave në tregun e punës. Shumica e të anketuarve pajtohen se gratë janë të diskriminuara në tregun e punës, dhe çka është më me rëndësi ata i përmendin faktorët shoqërorë dhe ekonomikë siç janë mentaliteti patriarkal dhe dispozitat e pushimit të lehonisë si variablat kryesore që i kontribuojnë këtij diskriminimi.
Raporti shërben si udhërrëfyes për politikëbërësit në përgjithësi pasi që ofron hapa konkretë të cilët pasi të ndërmirren e lirojnë potencialin dhe e nxisin procesin e zhvillimit. Rekomandimet e politikave që i jep ky dokument bazuar në gjetjet janë përmirësimi i objekteve për të moshuarit, ofrimi i një kujdesi më të mirë dhe më të përballueshëm për fëmijët, trajnime të përshtatura në punë bazuar në vlerësimin e nevojave, stimulimi i bizneseve në pronësi të grave. Duke marrë parasysh vullnetin politik për të punuar sipas këtyre rekomandimeve, rezultatet konkrete do të paraqiten në rrugëtimin tonë drejt rritjes së zhvillimit të përgjithshëm të vendit përmes përfshirjes së grave në tregun e punës.
Gjetjet kryesore të kësaj ankete janë:
- Më shumë se 53.2% të të anketuarve theksojnë se arsye kryesore e përjashtimit të grave nga tregu i punës është se ato kanë përgjegjësi që të kujdesen për fëmijët dhe të moshuarit në familje, derisa 30% e theksojnë mungesën e mundësive të punësimit si arsye për përjashtimin e grave.
- Më shumë se gjysma e të anketuarve (60%) pajtohen se gratë përballen me diskriminim në procesin e punësimit dhe i theksojnë shoqërinë patriarkale (43%) dhe pushimin e lehonisë (26%) si arsyet kryesore për diskriminimin e tyre.
- Sa i përket stimulimit të grave që të bëhen aktive në tregun e punës, rreth 33% të të anketuarve mendojnë se trajtimi i barabartë ndërmjet burrave dhe grave është zgjidhja, pasuar nga 25% që mendojnë se paga e njëjtë për përgjegjësi të njëjta është zgjidhja.
Kur u pyetën se kujt duhet t’i takoj përgjegjësia për kujdesin për fëmijët, 44% besojnë se ajo duhet të ndahet në mënyrë të barabartë ndërmjet prindërve. Megjithatë, 29% u përgjigjën se vetëm nëna duhet të jetë përgjegjëse dhe vetëm 3% besojnë se vetëm babai duhet të jetë përgjegjës.