Në përgjithësi besohet se pranimi në Bashkimin Evropian lidhet ngushtë me demokratizimin, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, ku BE-ja ka qenë një nga forcat kryesore shtytëse të demokratizimit në rajon. Për 15 vitet e fundit, perspektiva e anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor është shtyrë nga Bashkimi Evropian. Në shkurt të vitit 2018, Komisioni Evropian (KE) riafirmoi perspektivën e qëndrueshme, e të bazuar në merita të anëtarësimit në BE për Ballkanin Perëndimor në komunikatën e saj “Një perspektivë e besueshme e zgjerimit dhe angazhim i zgjeruar i BE-së me Ballkanin Perëndimor”. Ky është pranuar si mesazh i fortë inkurajimi për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe si shenjë e përkushtimit të BE-së ndaj të ardhmes së tyre evropiane.
Që nga Samiti i Selanikut i vitit 2003 – i cili shënon një kontratë sociale midis BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor në përpjekjen e tyre për integrim – BE-ja i është qasur rajonit përmes lenteve të zgjerimit të BE-së. Rezultatet e Samitit i nxitën gjashtë vendet e rajonit që t’i forconin përpjekjet e tyre në miratimin dhe zbatimin e reformave të kërkuara, duke i afruar ato drejt anëtarësimit në BE. Në procesin e përgatitjes për t’u anëtarësuar në BE, vendet e Ballkanit Perëndimor u zotuan se do të krijonin hapësirë për reforma të nxitura nga brenda vendit për të transformuar mënyrën se si funksionojnë politika, ekonomitë dhe shoqëritë e tyre. Një pjesë e politikës së zgjerimit ka të bëjë me atë që vendet t’i përqafojnë reformat e nevojshme të BE-së dhe t’i bëjnë ato pjesë të agjendës së tyre politike. Ndonëse vendet e Ballkanit Perëndimor po shkojnë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian – dhe përgjatë procesit ato po u nënshtrohen reformave të mëdha – po dëshmohet se viteve të fundit standardet demokratike në këto vende po shënojnë rënie. Me pakot në rritje të kritereve të reformës që janë pjesë e procesit të integrimit në BE – i cili synon të përshpejtojë zhvillimin e rajonit, si dhe të thellojë marrëdhëniet formale me BE-në, demokratizimi i dëshiruar dhe transformimi politik i shoqërive të rajonit ende duhet të përshkojë një rrugë të gjatë.
Në rrethana të tilla, ky punim hulumtues synon të ofrojë një përmbledhje të gjithanshme të politikave të reformave tashmë të përcaktuara dhe të shqyrtojë shkallën e transformimit të synuar demokratik të reformave të cekura në Kosovë, Mal të Zi dhe Shqipëri. Qëllimi kryesor i këtij punimi hulumtues është të sigurojë zgjidhje për dy çështje kryesore: (a) si të luftohen mangësitë e reformave dhe të identifikohen kërcënimet e mundshme për demokracinë, dhe (b) të rekomandohen zgjidhje të politikave në nivelin sektorial që ndihmojnë në nxitjen e zbatimit të procesit të reformës.