Analizë mbi veprimtarinë e Kuvendit të Kosovës në periudhën 2019-2020

10.12.2020 Albert Krasniqi

Demokraci për Zhvillim (D4D) ka për mision të ndikoj në proceset e zhvillimit të politikave publike në mënyrë që të përshpejtoj zhvillimin socio-ekonomik të vendit, përmirësoj qeverisjen dhe të përforcoj kulturën demokratike në Kosovë. Në kuadër të analizave dhe hulumtimeve që D4D ofron për të përmirësuar politikat publike, është hartuar ky raport që përshkruan dhe analizon veprimtarinë e Kuvendit të Kosovës përgjatë dy viteve të fundit. Hartimi i këtij raporti është nxitur duke i parë vështirësitë e shpeshta me të cilat është ballafaquar Kuvendi i Kosovës në kryerjen e punëve të përditshme, duke filluar nga ato më esenciale siç është sigurimi i kuorumit të nevojshëm për të mbajtur seanca plenare, e deri tek mungesa e konsensusit ndërmjet partive parlamentare për çështjet e interesit nacional.

Raporti ka në fokus periudhën janar 2019 – gusht 2020, që përfshinë dy sesionet e punës së dy legjislaturave të ndryshme. Respektivisht sesionin e fundit të Legjislaturës së gjashtë dhe sesionin e parë të Legjislaturës së shtatë. D4D ka monitoruar seancat plenare përmes pjesëmarrjes fizike kur kjo ka qenë e mundur, dhe përcjelljes së transmetimit në media dhe analizimit të transkripteve kur qasja në Kuvend është kufizuar si pasojë e shpërndarjes së pandemisë COVID-19. Pyetësor të veçantë janë dizajnuar për monitoruesit tanë për të mbledhur të dhënat e nevojshme për përgatitjen e këtij raporti. Sa i përket aktiviteteve të komisioneve parlamentare, kryesisht janë shfrytëzuar procesverbalet e komisioneve, raportimet në media si dhe pjesëmarrja fizike në mbledhje. Për qëllime të analizës, janë shfrytëzuar edhe të dhënat e publikuara në ueb faqen e Kuvendit që përfshijnë rendin e ditës së mbledhjeve të komisioneve dhe përmbledhjet e vendimeve të marra, raportet e organizatave vendore dhe atyre ndërkombëtare që kanë trajtuar çështjet e ndërlidhura me punën e Kuvendit.

Qëllimi i këtij raporti është që të pasqyrojë punën e Kuvendit në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të përcaktuara me Kushtetutë, të shpalosë ngecjet në ushtrimin e këtyre përgjegjësive, dhe identifikimin e masave që duhet të ndërmerren për të përmirësuar funksionalitetin e Kuvendit si institucion. Raporti është i ndarë në dy pjesë kryesore, në pjesën e parë që përfshijnë kapitujt 2 dhe 3 ku bëhet analizimi i kontekstit politik të dy legjislaturave të fundit dhe paraqiten vështirësitë kryesore, dhe në pjesën e dytë që përfshijnë kapitujt 4 deri 6, ku në mënyrë të detajuar përshkruhen aktivitetet e Kuvendit dhe ofrohen rekomandimet për të sanuar pengesat e identifikuara. Raporti ofron edhe krahasime ndërmjet këtyre dy legjislaturave në sesionet që janë monitoruar. Raporti ka në fokus aktivitetet e mbikëqyrjes parlamentare dhe ligjbërëse. Në fund të secilës fushë të vlerësuar, është përdorur modeli i analogjisë mjekësore ku çështjet janë identifikuar si “diagnoza” të mbështetura nga “shkaqet” e qarta që i kanë shkaktuar, dhe janë përcjell me “recetën” se si duhet të zgjidhen problemet e identifikuara.

Publikimi i këtij raporti është bërë në kuadër të projektit “Rivitalizimi i Kuvendit të Kosovës përmes trajtimit të pengesave kryesore”, të mbështetur nga Fondacioni Heinrich Böll.