Reformat në përgjithësi janë veprime që ndërmerren për të ndryshuar apo korrektuar ndonjë organizatë, sistem apo të ngjashme.
Reforma e administratës publike në Kosovë është kërkuar në vazhdimësi në nivelin nacional. Qëllimi i këtij punimi është më specifik, dhe tenton të analizoj nëse është e nevojshme që të ketë reformë të administratës në nivelin lokal dhe me specifikisht në komunën e Mitrovicës. Pasi që reforma e pushtetit lokal në Kosovë mund të konsiderohet si një veprim i cili duhet të merret nga niveli qendrorë që është edhe kompetence e tij, në këtë punim fokusi do të jetë se çfarë mund të bëjë niveli lokal, konkretisht komuna, brenda kornizës aktuale ligjore në përmirësimin e shërbimeve që ofrohen dhe janë kompetencë e komunës.
Për të kuptuar nevojat e intervenimit që duhet ndërmerren sa i përket funksionimit më të mirë të administratës publike në nivelin lokal, ky punim analizon punën e administratës komunale të Mitrovicës në dy vitet e fundit, 2019-2020. Vlerësimi i punës dhe nevojës për reformë apo për intervenime të nevojshme që të përmirësohen shërbimet e komunës është bërë duke vlerësuar raportet e ndryshme të organizatave të ndryshme për Komunën e Mitrovicës, intervistat me zyrtarë të komunës, raportet e auditorit të përgjithshëm, intervista me anëtar/e të Kuvendit të Komunës si dhe me qytetarë të Komunës së Mitrovicës.
Për të kuptuar më mirë kontekstin e reformës, ky punim së pari paraqet profilin e Komunës së Mitrovicës në pika të shkurta, parimet kryesore të funksionimit të administratës publike, vlerësimet zyrtare dhe jozyrtare përmes raporteve të institucioneve shtetërore dhe organizatave joqeveritare për punën e administratës në Komunën e Mitrovicës si dhe vlerësimin subjektiv të zyrtarëve komunal dhe qytetarëve lidhur me ofrimin e shërbimeve të Komunës. Bazuar në këto informata nxjerrën konkluzionet e nevojshme së bashku me rekomandimet lidhur me përmirësimin e funksionimit të administratës lokale si dhe ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët e Mitrovicës.