Konferenca: Progresi i komunave në dy vitet e fundit

25.09.2019

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) organizoi konferencën “Progresi i komunave në dy vitet e fundit” për përmbylljen e projektit “Pjesëmarrje e gjerë për qeverisje të mirë”, ku të ftuar në panel ishin znj. Gerrie Willems, ambasadore në Ambasadën e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, znj. Fetije Begolli-Maxhera, udhëheqëse e departamentit për zhvillim të qëndrueshëm në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), z. Xhafer Tahiri, kryetar i Komunës së Vushtrrisë, Prof. Dr. Zenun Elezaj, kryetar i komunës së Klinës, dhe zyrtar të komunave të tjera, përfaqësues të organizatave joqeveritare, si dhe qytetarë të tjerë.

Fokusi i diskutimit në këtë konferencë ishte progresi i qeverisjes lokale në dy vitet e fundit, me fokus gjithëpërfshirja në vendimmarrje, veçanërisht gratë dhe rinia, si dhe rritja e transparencës dhe llogaridhënies nga qeverisja lokale.. Të ftuarit në këtë konferencë vunë theksin në ngritjen e vetëdijesimit nga zyrtarët komunalë, konkretisht kryetarët e komunave, për gjetjen e mënyrave më të mira për bashkëpunimin me qytetarët të cilët i përfaqësojnë, në fuqizimin e grave dhe rinisë, dhe përfshirjen sa më të madhe të tyre në proceset e vendimmarrjes dhe politikëbërjes.

Gjithashtu, u diskutua edhe për rolin e anëtarëve të kuvendeve komunale. Përfaqësuesit e shoqërisë civile potencuan nevojën për investime në ngritjen e kapaciteteve për këshilltarët komunal, në mënyrë që ata të jenë në krye të detyrës së tyre si përfaqësues të qytetarëve, dhe të përmbushin detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ashtu siç edhe u takojnë.

Gjatë kësaj konference gjithashtu u prezantuan edhe gjetjet nga puna dy-vjeçare e institutit D4D.Gjithashtu, u prezantuan edhe dokumentet e politikave “Përfshirja e grave në vendimmarrje dhe qeverisje lokale në Kosovë” dhe “Qeverisja e mirë në nivelin lokal: Përfaqësimi i qytetarëve në politikëbërje dhe shërbimet publike” të cilat ofrojnë analiza të thukëta për pjesëmarrjen e grave dhe rinisë në qeverisje të mirë si dhe trendët e kënaqshmërisë së qytetarëve me qeverisjen lokale në Kosovë.

Punimi (vetëm në anglisht): https://d4d-ks.org/…/inclusion-women-decision-making-local…/

Analiza e politikave: https://d4d-ks.org/…/qeverisja-e-mire-ne-nivel-lokal-perfa…/

Kjo konferencë u organizua në bashkëpunim me Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) në kuadër të projektit “Pjesëmarrje e gjerë për qeverisje të mirë”, implementuar nga instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në partneritet me organizatën joqeveritare Qendra për De-politizimin e Shoqërisë Kosovare (CDKD), me mbështetje financiare nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë.