
Lansohet analiza mbi funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare në Kuvendin e KosovësInstituti Demokraci për Zhvillim (D4D) ka prezantuar analizën mbi funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Analiza rekomandon:
- plotësimin dhe përmirësimin e Ligjit për Hetim Parlamentar,
- forcimin e kornizës institucionale,
- fuqizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe zbatueshmërisë
Në këtë ngjarje u theksua se kjo analizë nuk është thjesht një dokument teknik, por një udhërrëfyes i rëndësishëm për forcimin e demokracisë parlamentare në vend. U potencua se rekomandimet e saj synojnë të avancojnë transparencën në punën e komisioneve hetimore, të rrisin integritetin e proceseve të tyre dhe të forcojnë llogaridhënien ndaj qytetarëve. Nëpërmjet këtyre ndryshimeve të propozuara, hetimet parlamentare pritet të bëhen një mjet edhe më i fuqishëm për kontrollin demokratik, duke siguruar që institucionet përgjegjëse të veprojnë në interes të publikut dhe me standarde më të larta të qeverisjes së mirë.
Bashkëpunimi i ngushtë me Kuvendin e Kosovës, me stafin mbështetës të komisioneve parlamentare, me shoqërinë civile, si dhe me deputetët e legjislaturave të kaluara ka qenë një element thelbësor gjatë hartimit të kësaj analize. Po ashtu, është bërë edhe një krahasim me praktikat e vendeve të tjera, me qëllim që të nxirren mësime dhe të ofrohen rekomandime që e çojnë përpara në mënyrë sa më pozitive dhe të qëndrueshme funksionimin e komisioneve hetimore në Kosovë.
Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Mbështetja e Kuvendit të Kosovës në procedurat e komisioneve hetimore dhe në hartimin e legjislacionit”, financuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës (FDFA).






