Vendosja e Drejtësisë në Zgjedhje: Çfarë është vendosur për ankesat, apelet dhe lëndët penale të zgjedhjeve

05.10.2020 Dardan Berisha

Edicioni i parë i raportit “Vendosja e Drejtësisë në Zgjedhje” është publikuar në vitin 2015 dhe ka prezantuar të dhëna për zgjedhjet e mbajtura prej vitit 2009 deri 2014. Ky është edicioni i dytë i raportit që bashkon të dhënat nga raporti i kaluar me të dhënat nga zgjedhjet e fundit lokale dhe parlamentare të vitit 2017 dhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2019.

Të dhënat që prezantohen në këtë raport në mes tjerash janë: numri i ankesave dhe apeleve të dorëzuara në PZAP, llojet e vendimeve dhe gjobat e shqiptuara për subjektet politike nga PZAP, numri i lëndëve të veprave penale që ndërlidhen me votimin dhe masat sanksionuese të marra nga Gjykatat, numri i komunave apo vendvotimeve ku ka pasur rivotim, numri i vendvotimeve të rinumëruara, dhe veprimet e ndërmarra për ankesat ndaj mediave. Në rastet kur ka pasur informata të detajuara, të dhënat janë ndarë sipas natyrës së shkeljes, viteve, llojit të vendimit apo aktgjykimit, komunës dhe rajonit.

Për të përgatitur edicionin e dytë të raportit, D4D ka mbledhur të dhëna nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), Policia e Kosovës (PK), Prokuroria Shtetërore (PSH), dhe Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM).

Përgatitja e këtij raporti nuk do të ishte e mundshme pa bashkëpunimin e institucioneve të cilat në përgjithësi kanë ofruar qasjen në të dhënat e disponueshme me kohë, dhe vazhdimisht kanë qenë të hapura për konsultime dhe sqarime.

 


Ky raport është publikuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) me mbështetje të popullit amerikan përmes Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES), si dhe nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme (FDFA). Përmbajtja e këtij dokumenti në asnjë rrethanë nuk mund të konsiderohet pasqyrim i qëndrimit të donatorëve të lartcekur.