Kostoja e dukshmërisë: Dhuna Online ndaj grave në jetën politike në Kosovë

24.03.2026

Komunikimi politik në internet po bëhet gjithnjë e më shumë një arenë qendrore e garës elektorale, duke ndikuar në dukshmëri, në ndërtimin e narrativave dhe në angazhimin e votuesve. Aktualisht, ai është shndërruar edhe në një mjedis të rëndësishëm për shfaqjen e dhunës me bazë gjinore, ku gratë që dalin kandidate në politikë ekspozohen në mënyrë disproporcionale ndaj gjuhës së urrejtjes, ngacmimeve dhe narrativave diskriminuese. Në Kosovë, sikurse në shumë kontekste demokratike, kjo dukuri paraqet një risk në rritje jo vetëm për pjesëmarrjen e grave në politikë, por edhe për cilësinë, përfshirjen e plotë dhe integritetin e proceseve demokratike.

Ky raport shqyrton dhunën online me bazë gjinore ndaj grave në politikë (dukuri që në diskursin dhe literaturën e gjerë në gjuhën angleze njihet si Violence Against Women in Politics, shkurt VAWP) gjatë cikleve elektorale të vitit 2025, përkatësisht gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të mbajtura në vitin 2025. Raporti e trajton gjuhën e urrejtjes online dhe komunikimin politik diskriminues jo si incidente të izoluara apo si shprehje të armiqësisë individuale, por si forma sistemore dhe kumulative të dhunës politike që ndikojnë në përcaktimin e asaj se kush duhet të marrë pjesë në politikë, në çfarë kushtesh dhe me çfarë kostoje personale. Duke kombinuar monitorimin digjital në shkallë të gjerë me intervista cilësore të thelluara, raporti synon të paraqesë si shtrirjen e shkeljeve online ashtu edhe ndikimin e tyre të përjetuar nga gratë që dalin kandidate në politikë.

Analiza mbështetet në përvojën e kamotshme të organizatës Demokraci për zhvillim (D4D) në monitorimin e gjuhës së urrejtjes dhe përmbajtjes së dëmshme online gjatë proceseve elektorale. Duke përdorur një qasje të metodave të kombinuara, raporti dokumenton modelet e mbulimit mediatik, dinamikat specifike të platformave dhe shpërndarjen e përmbajtjes diskriminuese me bazë gjinore sipas komunave, aktorëve politikë dhe periudhave kohore. Vëmendje e veçantë i kushtohet fazës së para fushatës dhe fazave përmbyllëse të garës elektorale, ku armiqësia online duket se intensifikohet, ndërkohë që mekanizmat institucionalë mbrojtës shpesh janë më të dobët.

Përtej trendeve sasiore, raporti vë në qendër zërat e vetë grave kandidate. Përmes intervistave cilësore, raporti shqyrton pasojat emocionale, personale dhe politike të abuzimit online, përfshirë presionin psikologjik kumulativ, ndërhyrjen në jetën private dhe familjare, efektet dekurajuese në pjesëmarrjen politike dhe presionin për t’u tërhequr nga jeta publike. Këto gjetje tregojnë se si gjuha e urrejtjes online përforcon strukturat e pushtetit të bazuara në gjini, funksionon si mekanizëm disiplinues dhe normalizon praktikat përjashtuese në politikë.

Raporti shqyrton gjithashtu mekanizmat praktikë të mbrojtjes, përfshirë rrjetet familjare, partitë politike, solidaritetin ndërmjet grave dhe kanalet formale të raportimit. Gjetjet shpërfaqin boshllëqe të konsiderueshme ndërmjet zotimeve formale për barazi gjinore dhe mbrojtjes praktike që u ofrohet grave kandidate, ku përgjegjësia për menaxhimin e dëmit shpesh zhvendoset tek individët dhe jo tek institucionet. Këto dinamika sjellin riskun e thellimit të pabarazive strukturore dhe dekurajimit të brezave të ardhshëm të grave që të mos angazhohen në politikë.