Sa të pavarura janë autoritetet rregullatore në Kosovë?

19.10.2017 Visar Sutaj

Në demokraci, pavarësia e autoriteteve rregullatore është parakusht për forcimin e ndarjes së pushteteve dhe rregullimin e tregjeve. Mbi të gjitha, shkalla e pavarësisë së autoriteteve rregullatore i përcakton standardet e cilësisë dhe kushtet e qasjes në sektorët që rregullohen. Megjithatë, nëse u nënshtrohen ndërhyrjeve të jashtme, qofshin ato politike ose që ndërlidhen me industrinë, qëndrueshmëria e tyre dëmtohet rëndë.

Deri në çfarë mase autoritetet rregullatore në Kosovë janë të pavarura është çështja kryesore e preokupimit të këtij studimi. Kjo gjykohet në bazë të shkallës në të cilën autoritetet janë institucionalisht, funksionalisht dhe financiarisht të pavarur nga ndërhyrja shtetërore dhe politike.

Ky raport përfshin dimensionet më kritike të pavarësisë rregullatore në konkurrencë, hekurudha, telekom dhe sektorin e energjisë. Ai jep një pasqyrë të përgjithshme të gjendjes aktuale të performancës rregullatore dhe sfidave në sistemin rregullator bazuar mbi të dhënat e nxjerra nga ekspertët dhe zyrtarët gjatë punës për autoritetet përkatëse dhe gjetjet nga burime të besueshme, duke përfshirë raportet e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA). Autoritetet rregullatore që janë subjekt i këtij studimi përfshijnë Autoritetin Kosovar të Konkurrencës (AKK), Autoritetin Rregullativ të Hekurudhave (ARRH), Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) dhe Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE). Derisa autoritetet rregullatore kanë të përbashkëta ngjashmëri në kuptimin e përbërjes dhe rolit, ekzistojnë shumë dallime të cilat i hasim, e që gjithashtu e përshkruajnë nivelin e pavarësisë institucionale.