• Shqip

Qeverisja e mirë në nivel lokal: Përfaqësimi i qytetarëve në politikëbërje dhe shërbimet publike

27.09.2019 D4D

Përfaqësimi i qytetarëve në vendimmarrje dhe efikasiteti i shërbimeve publike komunale janë dy fusha që pasqyrojnë thelbin e qeverisjes se mirë ose edhe mungesës se saj në nivel lokal.

Të dhënat e hulumtimit për përfaqësimin ose pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje nuk janë inkurajuese. Në pyetjen e parashtruar nëse mendoni që mund të ndikoni në politikëbërje nga 1070 të anketuar 64.6% e tyre kanë deklaruar se nuk kanë provuar të ndikojnë, por as që besojnë që mund të ndikojnë. 19.4% e të anketuarve gjithashtu nuk kanë provuar të ndikojnë në politikëbërje, ani pse kjo përqindje beson që në rast që do të provonin edhe do të ndikonin në rrjedhat e përgjithshme të politikëbërjes. 8% e të anketuarve janë përfaqësuar në rrjedhat e përgjithshme të vendimmarrjes por nuk kanë arritur të ndikojnë në këto rrjedha, 3.2% kanë provuar të ndikojnë dhe janë shprehur të kënaqur me ndikimin që kanë pasur.

Përderisa përfaqësimi i qytetarëve në vendimmarrje përcillet me hezitim dhe mosbesim nga ana e tyre, një fushë tjetër që D4D e ka ngritur si pyetje është nëse qytetarët kanë pasur ose parashtruar çfarëdo kërkese ndaj autoriteteve lokale në gjashtë muajt e fundit. Rezultatet në ketë pikë kanë dal pozitive, 47% ose janë të kënaqur ose shumë të kënaqur me përgjigjet që kanë marr nga komuna. Të kënaqur qytetarët kanë rezultuar edhe me shërbime publike. Në pyetjen e parashtruar sa jeni të kënaqur me shërbimet publike komunale në gjashtë muajt e fundit rreth 60% e të anketuarve janë deklaruar se janë të kënaqur ose shumë të kënaqur.

Instituti Demokracia për Zhvillim (D4D) ka adresuar këtë raport me qëllim të ofrimit të rekomandimeve përkatëse që lidhen me forcimin dhe përmirësimin e politikave publike, veçmas në fushat si pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje dhe rritja efikasitetit të shërbimeve publike në nivel të pushtetit lokal.

Ky hulumtim dhe dokument është zhvilluar me mbështetje financiare nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë. Pikëpamjet dhe opinionet e paraqitura në këtë tekst janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërish pikëpamjet dhe opinionet e Ambasadës Holandeze në Kosovë.