Zhvillimi i e-qeverisjes është prioritet në rritje në agjendat politike, por vëmendje të madhe po i kushtohet transformimit të qeverisjes digjital në nivel lokal. E-qeverisja lokale me të drejtë po merre vëmendje të shtuar pasi komunat janë më shumë ndërveprim të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe janë përgjegjëse për t’i adresuar shqetësimet e përditshme të qytetarëve.
Në Kosovë, digjitalizimi i shërbimeve publike-administrative ende është në fazë të hershme të zhvillimit. Qeveria ka lansuar portalin shtetëror eKosova, që ende ofron numër shumë të kufizuar të shërbimeve. Është miratuar edhe Strategjia për Modernizimin e Administratës Publike 2015-2020, nga ku janë identifikuar shumë sfida, siç është mungesa e sistemit elektronik të integruara, apo mos invenatarizimi i plotë i shërbimeve publike-administrative të cilat ofrohen nga ana e institucioneve publike.[1] Në atë kohë, janë identifikuar 534 procedura administrative të cilat lëshohen nga 23 institucione qendrore dhe të varësisë së tyre në Kosovë. Sipas një përllogaritje, kostoja totale direkte për procedurat administrative që janë lëshuar në një vit kalendarik nga rreth 75% e institucioneve qendrore në Kosovë rezulton të jetë rreth 130 milion euro për biznesin dhe koha e pritjes për të marrë këto procedura ka qenë 218.400 ditë ose 593 vite.[2] Në nivel lokal, ofrimi i shërbimeve digjitale kryesisht mbetet i kufizuar në marrjen e dokumenteve nga regjistri civil përmes eKiosqeve të vendosura nga komunat.
Për të vlerësuar përvojat qytetarëve në marrjen e shërbimeve digjitale në nivel lokal dhe identifikuar nevojat e tyre, D4D ka bërë analizuar tri komuna të Kosovës, që janë Komuna e Podujevës, Lipjanit dhe Drenas. Fillimisht është bërë matja e opinionit publik për kënaqshmërinë me shërbimet digjitale që ofrohen në komuna. Matja është bërë përmes mostres përfaqësuese me rreth 1,200 respodent në nivel vendi. Më pas, për të zbërthyer më tej opinionet e qytetarëve dhe identifikuar nevojat, D4D ka organizuar edhe tri fokus grupe me qytetarët në komunat e përzgjedhura. Për të marrë një perspektivë më të gjerë, janë organizuar edhe tri diskutime publike në mes të qytetarëve dhe përfaqësueses lokal në formatin e “Salloneve të së martës” së D4D-së.
Krahas identifikimit të nevojave dhe vlerësimit të kënaqshmërisë qytetare me shërbimet publike digjitale në nivel lokal, qëllimi i kësaj analize të shkurtër është edhe të nxisë diskutimin në nivel lokal mbi nevojën për të adresuar agjendën digjitale, si dhe të përfshijë qytetarët në diskutime me vendimmarrësit për të përshpejtuar proceset e digjitalizimit të shërbimeve administrative. Përmes ofrimit të sa më shumë shërbimeve digjitale, ndikohet direkt në shkurtimin e kohës së marrjes së shërbimeve, thjeshtësimin e marrjes së shërbimeve, eliminimin e praktikave korruptive.
[1] Qeveria e Republikës së Kosovës. “Strategjia për Modernizimin e Administratës Publike 2015-2020”, i qasshëm në: https://mpb.rks-gov.net/ap/page.aspx?id=1,127
[2] International Financial Corporation (IFC) RAPORT, inventari i Procedurave Administrative në Nivelin Qendror Shtator 2014 f. 12.