Instituti Demokraci për Zhvillim lansoi punimin “Ndryshimi i paradigmës – Barazi përmes lejes prindërore”.
Hulumtimet në mbarë botën vazhdimisht tregojnë se baballarët duan të kalojnë më shumë kohë me të porsa-lindurit e tyre, por presioni shoqëror për të qenë më në përputhje me rolet tradicionale gjinore, i kombinuar me ndikimin e perceptuar në karrierën e tyre, thjesht i lë baballarët pa stimuj të mjaftueshëm për të marrë më shumë leje. Përveç kësaj, gjetjet e D4D tregojnë se në fakt 77.8% e të gjithë burrave dhe grave në Kosovë do të konsideronin marrjen e lejes prindërore, nga të cilat 41.9% e të gjithë mostrës (41.8% e burrave dhe 45.8% e grave) gjithsesi do ta konsideronin ndarjen e lejes prindërore me partnerin(en) e tyre. Brezat e rinj 18-24 vjeç dhe ata të moshës 35-44 vjeç kanë shprehur një shkallë më të lartë të gatishmërisë për të marrë lejen prindërore – respektivisht 46.6% dhe 47.8%.
Sistemi në fuqi i lejes së lindjes së nënave nuk i plotëson kërkesat e popullatës kosovare pasi që lejon leje vetëm për nënat në formën e lejes së lindjes, nuk parashikon lejen prindërore dhe ua pamundëson baballarët/prindërve që të marrin pjesë më të madhe të lejes së atësisë ose të lejes prindërore. Për t’u kujdesur për kërkesat e popullsisë dhe për të harmonizuar modelin bazuar në direktivat e BE-së (Direktiva 2010/18 /BE), D4D propozon një skemë të lejes ku katër (4) muaj i ndahen nënës si leje e lindjes – me 70% të pagës së saj bazë, e cila mbulohet nga punëdhënësi; një (1) muaj i ndahet babait si leje e atësisë –me 70% të pagës së tij bazë që mbulohet nga punëdhënësi. Përmes skemës së propozuar, familja merr tetë (8) muaj leje prindërore, nga të cilat katër muaj i ndahen nënës dhe katër (4) muaj i ndahen babait. Një model i tillë mund të ndihmojë në nxitjen e barazisë gjinore në kornizën e roleve të punës, pagës dhe të pjesëmarrjes në vendin e punës.