Monitorimi i deklaratës së mirësjelljes në media social gjatë zgjedhjeve lokale 2021

27.05.2022 Instituti D4D

Më 17 tetor 2021 në Kosovë u mbajtën zgjedhjet lokale për zgjedhjen kryetarëve të komunave dhe përfaqësuesve të kuvendeve komunale në 38 komuna të Kosovës. Në 21 komuna në të cilat kandidatët për kryetar komune nuk fituan shumicën në raundin e parë (50% +1), më 14 nëntor 2021 u mbajtën zgjedhjet e raundit të dytë. Përkundër mangësive të kuadrit ligjor dhe sfidave të përsëritura në lidhje me administrimin e votimit jashtë vendit dhe mungesën e pluralizmit në komunat me shumicë serbe, zgjedhjet u konsideruan përgjithësisht si të lira dhe të ndershme dhe përfaqësuese të vullnetit të popullit.

Gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2021, Demokraci për Zhvillim realizoi një pilot-projekt të mbështetur nga Qendra për Dialog Humanitar (Qendra HD), që kishte për qëllim t’i angazhonte partitë politike, kandidatët, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile që të nënshkruajnë një Deklarate të Mirësjelljes në Mediat Sociale. Me nënshkrimin e këtyre deklaratave, palët u zotuan që të luftojnë kundër gjuhës së urrejtjes, lajmeve të rreme, dezinformimit, gjuhës shpifëse dhe përmbajtjeve të tjera që mund të kenë ndikim negativ në mjedisin zgjedhor. Këto deklarata u përgatitën në bashkëpunim me akterët zgjedhorë në seminarin e mbajtur në gusht të vitit 2021 dhe janë përshtatur enkas për akterët specifikë dhe rolet e tyre.

Grupi realizues ka përdorur një sërë matjesh cilësore në vlerësimin e shkeljeve të raportuara nga njësia e monitorimit. Megjithatë, ky raport duhet të lexohet me kuptimin se palë të ndryshme të interesuara, entitete ose persona të tjerë mund të kenë interpretime të ndryshme nëse një përmbajtje a pjesë e saj plotëson pragun për t’u konsideruar si shkelje (p.sh. gjuhë urrejtjeje ose dezinformatë). Prandaj, është plotësisht e mundur të kemi pikëpamje të ndryshme për gjetjet e paraqitura në këtë raport.