Mobiliteti i fuqisë punëtore: Një qasje nga poshtë-lart

30.06.2020 Gersi Gashi

Migrimi nuk është fenomen i ri – të paktën jo sa i përket shfaqjes së tij. Megjithatë, vitet e fundit është duke u rritur me shpejtësi pasi në vitin 2020 ka 83% më shumë emigrantë sesa në vitin 2000[1]. Si i tillë, migrimi ka fituar hapësirë edhe në diskursin publik pasi njerëzit janë në lëvizje për arsye ekonomike, politike dhe humanitare. Migrimi nuk është i përqendruar në një rajon të veçantë, por emigracioni është më evident në Ballkanin Perëndimor në krahasim me pjesët e tjera të Evropës. Emigracioni nuk përbën problem në vetvete por bëhet problem kur kemi të bëjmë me një shkallë të lartë të atyre që nuk kthehen. Shkalla e lartë e njerëzve që nuk kthehen më në vendin e origjinës, dhe veçanërisht nëse ata janë pjesë e fuqisë punëtore, përhap shumëllojshmëri të problemeve të politikave të lidhura me punën.

Ky punim përbën një qasje jokonvencionale nga Instituti D4D në përdorimin e modeleve të bazuara në agjentë për të shpjeguar se si politikat ndikojnë në sjelljet e njerëzve në lidhje me tregun dhe mobilitetin e fuqisë punëtore. Punimi analizon kontekstin dhe trendet e Kosovës në fuqinë punëtore, ofron modele të rasteve se si oferta-kërkesa për punë mund të ndikohet nga politika të reja dhe se si nevojitet një qasje rajonale nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

 


[1] Organizata Ndërkombëtare për Migracionin. 2019. Raporti i migracionit botëror 2020. Marrë nga: https://publications.iom.int/system/files/pdf/wmr_2020.pdf