Mini-Shengeni dhe Bashkëpunimi Rajonal: Nevojiten gjashtë shtete për bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor

26.05.2021 Visar Xhambazi

Iniciative “mini-Shengen” u nis mbi premisën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor. Deri më tani, vetëm katër vende janë bashkuar: Serbia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria (tre nënshkruesit fillestar) dhe Kosova. Dy vendet e mbetura, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi, kanë deklaruar se do të qëndrojnë jashtë kësaj iniciative mbi premisën se mini-Shengeni dhe integrimi evropian përjashtojnë njëra tjetrën. Kjo ka krijuar pengesa drejt zbatimit të iniciativës. Derië më tani, mini-Shengeni është bërë lajm, por ka dështuar të jape rezultate të prekshme për shkak të mosmarrëveshjeve politike, hutisë dhe mungesës së mekanizmave koordinues dhe zbatues.

Kjo analizë e shkurtër e politikave shqyrton fillimin e mini-Shengenit dhe analizon të ardhmen e saj si një iniciativë rajonale duke marrë për bazë një mori burimesh. Metodologjia e hulumtimit përfshin analizë së të dhënave nga një kombinim i resurseve si hulumtimi në zyrë, sondazhet, dokumentet zyrtare dhe intervistat e kryera sipas rregullit të Chatham House me ekspertë, hulumtues, përfaqësues të shoqërisë civile, zyrtarë të odës ekonomike, ish-ambasadorë dhe politikanë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, nga janari 2021 deri në mars 2021.

Ky punim fillon me një historic që shpjegon origjinën e idesë së mini-Shengenit dhe reagimin nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. I kushton vëmendje të veçantë refuzimit fillestar të Kosovës për t’ju bashkëngjitur iniciativëdhe ofron informata nga sondazhet e realizuara në dhjetor 2020 në Kosovë.