Procesi i Berlinit ka sjellë një shtysë të re në krijimin e një bashkëpunimi më të ngushtë ekonomik, politik dhe social ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor 6. Ky moment pozitiv u pasua nga strategjia vitit 2018 e Komisionit Evropian me titull “Një perspektivë e besueshme e zgjerimit për dhe angazhim më i madh i BE-së me Ballkanin Perëndimor”. Që nga viti 2015, procesi i Berlinit është duke mbështetur të ashtuquajturën ‘Agjenda e Konektivitetit’ në masat konkrete që priten të sjellin përfitime konkrete për të gjithë qytetarët në tërë rajonin. Kjo agjendë përbën një kornizë inovative dhe të favorshme për stimulimin e rritjes ekonomike të Ballkanit Perëndimor 6, duke përmirësuar konkurrencën dhe shkëmbimet tregtare, si dhe për nxitjen e bashkëpunimit rajonal ndërmjet vendeve fqinje. Kjo përfshin lehtësimin e integrimit të rajonit në një zinxhir të përbashkët rajonal të vlerës, që do të ngriste në shkallë më të lartë avantazhet konkurruese dhe, së fundmi, por jo më pak nga rëndësia, do të siguronte rezultate të prekshme për jetën e qytetarëve. Agjenda e Konektivitetit paraqet interesin e përbashkët si të vendeve të Ballkanit Perëndimor 6, ashtu edhe të vendeve anëtare të BE-së dhe është pjesë e gjashtë iniciativave më të rëndësishme të promovuara nga Komisioni Evropian në kuadër të strategjisë së re të zgjerimit.
Qëllimi i këtij dokumenti të politikave është që të kontribuojë në dokumentimin e progresit që Shqipëria, Kosova dhe Serbia kanë arritur në zbatimin e angazhimeve të marra në kuadrin e Agjendës së Konektivitetit. Ai synon të tërheqë vëmendjen në nevojën për të zhvilluar mekanizma monitorues në nivel rajonal, në mënyrë që të sigurohet zbatimi me kohë i këtyre projekteve prioritare të investimeve në nivel ndërkufitar, si dhe për të rritur dukshmërinë, ndërgjegjësimin dhe transparencën për popullatat vendore. Në fund, me këtë dokument synohet të identifikohen rekomandime konkrete sa i përket përmirësimit të situatës në lidhjen infrastrukturore ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë në kontekstin e rritjes ekonomike dhe të prosperitetit në të ardhmen që lehtëson procesin e integrimit në BE, duke nënvizuar fushat prioritare si dhe rezultatet e mundshme të përfitimit të ndërsjellë.