Implikimet e mundshme gjinore të COVID-19 në Kosovë

24.03.2020 Valëza Zogjani

Përhapja e pandemisë globale, virusit korona (COVID-19) [1], nuk ka kursyer as Kosovën. Ekspertë të ekonomisë si dhe shëndetit publik pohojnë se vendet në zhvillim si dhe ato në kriza humanitare janë më të goditurat nga vala e shpërndarjes së pandemisë – me mungesë të theksuar të resurseve dhe infrastrukturës sanitare për të parandaluar përhapjen e virusit dhe me sisteme të dobëta të shëndetësisë për të trajtuar rastet e infektimit.

Prej se ka filluar përhapja e virusit COVID-19 në fillim të vitit 2020, efektet shëndetësore, sociale dhe ekonomike kanë filluar të ndjehen si në nivelin individual, ashtu edhe në atë të komunitetit për një kohë shumë të shpejtë në botë[2]. Në veçanti, hulumtimet tregojnë se gratë janë kategori skajshmërisht  të cenueshme përgjatë emërgjencave të tilla shëndetësore. Gjatë krizave shëndetësore, shumica e resurseve shtetërore janë të fokusuara në menaxhimin dhe mirëmbajtjen e shëndetit publik, duke lënë anash nevojat specifike të grave (përfshirë qasjen në shërbime mjekësore, qasjen në punë dhe sigurimin e të ardhurave, këshillim psiko-social, dhe qasje në transport publik).[3] Si rezultat i pandemisë, të dhënat nga bota tregojnë që për shkak të rritjes së tensionit brenda familjes për arsye të stresit ekonomik dhe panikut nga virusi, rriten edhe rastet e dhunës në familje. [4] Në rast të mos trajtimit të duhur të kësaj çështje, grave dhe vajzave në ambiente abuzuese mund t’u cenohet shëndeti fizik dhe mendor, si dhe në raste më të këqija, edhe jeta.

Në Kosovë, përballja me këtë krizë shëndetësore bëhet edhe më e rëndë marrë parasysh mungesën e theksuar të drejtësisë shoqërore dhe barazisë gjinore në vend. Në situatën e tashme – me thuajse stagnim të ekonomisë, mbyllje të shkollave, punë prej shtëpisë në distancim shoqëror – për shkak të roleve dhe pritshmërive gjinore, gratë përballen më shumë se zakonisht me obligime të shtuara familjare dhe punë të shtëpisë, si dhe nevojë më të madhe për përkujdesje të anëtarëve të familjes, sidomos ndaj fëmijëve dhe të moshurve.  Me vështirësi më të mëdha ekonomike, me rrezik më të madh nga dhuna në familje, qasje të limituar në shërbimet përkrahëse dhe vështirësi më të mëdha për t’u kthyer në treg të punës, ndikimi i pandemisë COVID-19 rrezikon seriozisht mirëqenien e grave në Kosovë.

Eksperienca nga përhapjet e mëparshme pandemike në botë, por edhe përvoja e Kosovës me krizë humanitare pas luftës së fundit, dëshmon rëndësinë e strategjive dhe politikave lehtësuese të dizajnuara duke shfrytëzuar qasje gjithëpërfshirëse dhe dimension gjinor. Duke u shërbyer nevojave të grave gjatë dhe pas tejkalimit të emergjencës shëndetësore, efektshmëria e masave parandaluese dhe lehtësuese për menaxhimin e situatës është shumë më e lartë. Megjithëse është shumë herët për të vlerësuar efektin real dhe afatgjatë të implikimeve të COVID-19, kjo analizë e shpejtë tenton të hedh dritë mbi implikimet e mundshme gjinore si rezultat i gjendjes emergjente shëndetësore në vend, duke u bazuar në situatën aktuale socio-ekonomike të grave në Kosovë.

______

[1] Organizata Botërore e Shëndetësisë. Coronavirus Disease (COVID-19) Pandemic. Marrë nga: https://www.who.int/emergencies/diseases/novel-coronavirus-2019
[2] Wenham C., Smith J., Morgan R. (2020). COVID-19: the gendered impacts of the outbreak. Marrë nga: https://www.thelancet.com/journals/lancet/article/PIIS0140-6736(20)30526-2/fulltext
[3] Care International. (2020). Gender implications of covid-19 outbreaks In development and humanitarian settings. Marrë nga: https://www.care.org/sites/default/files/gendered_implications_of_covid-19_-_full_paper.pdf
[4] Fraser E. (2020). Impact of COVID-19 Pandemic on Violence against Women and Girls. Marrë nga: https://www.svri.org/sites/default/files/vawg-helpdesk-284-covid-19-and-vawg.pdf