Ekonomia e nënvlerësuar “Gratë nuk kanë kohë ta ndryshojnë kombin: janë të zëna me punët e shtëpisë”

06.12.2023

Një pjesë e madhe e punës së kujdesit kryhet pa pagesë dhe shpesh nga anëtarët e familjes. Hulumtimet kanë treguar se puna e përkujdesjes zakonisht kryhet nga gratë, kështu që puna që kryhet nga gratë vazhdon të jetë e zhvlerësuar, nuk njihet, nuk pranohet, nuk duket sa duhet dhe nuk llogaritet si kontribut në ekonomitë kombëtare. Ballkani Perëndimor vazhdon të karakterizohet me ndarje të thellë të tregut të
punës, me pjesëmarrje të pabarabartë të grave në fuqinë punëtore, ku Kosova shfaqet me përqindjen më të ulët të grave aktive në tregun e punës me vetëm 21.2%, ndërsa 78% e grave mbeten joaktive. Sipas anketës për përdorimin e kohës të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), 32.2% e grave janë joaktive sepse kujdesen për fëmijët, 16% nuk besojnë se ka vende punë për to dhe 2.2% sepse kujdesen për të moshuarit.
Treguesit e tregut të punës në Kosovë tregojnë se 89.3% e grave janë punëtore, ndërsa vetëm 3.8% janë punëdhënëse. Më pak se 10% e bizneseve drejtohen nga grave ose janë në pronësi të tyre dhe 46.9% e grave kanë vende pune të paqëndrueshme. Paralelisht, gratë shpenzojnë 7.2 orë në punët e shtëpisë dhe të kujdesit në familje krahasuar me 2.5 orë që i shpenzojnë burrat. Sipas anketës së D4Dsë,
gratë kryesisht janë të zëna me pastrim (47%), gatim (21%) dhe kujdesin për fëmijët (21%), ndërsa vetëm 4.5% e grave nuk do të merreshin me punët e shtëpisë krahasuar me 39% e burrave. Mentaliteti patriarkal mbizotëron me të madhe në radhët e grave dhe të burrave. Ndonëse shumica e të anketuarve në anketën e D4D konsiderojnë se gratë, ashtu si edhe burrat duhet t’i ndajnë punët e shtëpisë në mënyrë të barabartë, gratë nuk besojnë se burrat duhet të jenë përgjegjës, dhe gratë vazhdojnë të besojnë se kujdesi ndaj fëmijëve dhe punët e shtëpisë janë punë e grave.