Papunësia dhe arsimi i dobët i grave në zonat rurale mbeten mes sfidave më serioze socio-ekonomike në Kosovë, e cila rrjedh jo vetëm nga mungesa e vendeve të punës, por edhe nga barriera strukturore si mungesa e transportit publik, shërbimeve parashkollore dhe mundësive për zhvillim personal.
Për të adresuar këtë realitet, projekti “Vendimmarrja me dialog: Përmirësimi i jetës rurale përmes avokimit të grupeve të interesit”, i zbatuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) me mbështetjen e projektit rajonal “SMART Balkans–Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkëta në Ballkanin Perëndimor”, synon të promovojë një qasje të re në politikëbërje.
Dëshmitë nga disa mini-studime që kemi relizuar synojnë të nxisin dialog dhe pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të grave në procesin e vendimmarrjes publike. Argumenti ynë kryesor është për një bashkëpunim të qëndrueshëm mes shoqërisë civile dhe institucioneve, me qëllim krijimin e zgjidhjeve konkrete për të lehtësuar qasjen e grave në tregun e punës përmes dy intervenimeve publike: (a) hapja e sa më shumë kopshteve për të akomoduar fëmijët nga zonat rurale dhe (b) subvencionimi i transportit publik që lidh fshatrat me qytete dhe mes vete.
Të gjitha dëshmitë janë se këto dy ndërhyrje do të rrisnin barazinë mes fëmijëve, do të rrisnin punësimin e grave, do të ngadalësonin shpërnguljen dhe në përgjithësi do të kishin efekt për një zhvillim më të hovshëm ekonomik në vend.
Në kuadër të këtij projekti u krijua një Grup Avokues i Grave Aktiviste, i cili me mbështetje nga D4D, ka realizuar disa hulumtime në nivel të Kosovës dhe në disa fshatra të përzgjedhura për të identifikuar faktorët kryesorë që ndikojnë në papunësinë e grave, duke vendosur kështu bazën për propozime të strukturuara dhe të adresuara politikisht.
Më poshtë gjeni Factsheet të hartuar për Komunën e Pejës, me fokus të veçant fshati Buçan.
“Vendimmarrja me dialog: Përmirësimi i jetës rurale përmes avokimit të grupeve të interesit” zbatohet me mbështetjen e projektit rajonal “SMART Balkans–Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkëta në Ballkanin Perëndimor” i zbatuar nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD) në partneritet me Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe Center for Research and Policy Making (CRPM) dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëvetë Jashtme të Norvegjisë (NMFA).
