Deforma zgjedhore – Dy vite pas, reforma në pikën zero

Në vend se të nisej me qëllim për të parandaluar manipulimet, reforma u nis me qëllim për të krijuar zonat dhe për të zgjedhur presidentin drejtpërdrejtë nga populli. Komisioni për reformë zgjedhore bëri disa përmirësime, injoroi disa pika, por drafti u hodh tutje dhe e gjitha nisi nga e para nga liderët e fuqishëm politik.

Liderët politik kanë zhbërë një pjesë të përmirësimeve që kishte bërë Komisioni dhe së fundi ndërprenë mbledhjet e rregullta. Në forum të liderëve janë ngritur çështje që deri tani nuk janë identifikuar si problematike por duket se u shkaktojnë kokëçarje disa partive. Ka tendenca për zhbërje të përparimeve të mëhershme, si p.sh. të lejohet që deputetët sërish të mbajnë poste ekzekutive.

Sa më tepër që vonohej reforma dhe afroheshin zgjedhjet, aq më shumë shtohej presioni tek opozita për të hequr dorë nga një pjesë e kërkesave. Sado që ata dëshironin zgjedhje të hershme, më tepër frikësoheshin nga mundësia e shkuarjes me ligjin e vjetër që i jep epërsi të jashtëzakonshme partisë kryesore si edhe dy partive tjera me kontroll të theksuar në disa rajone.

Pas disa viteve të këshillave si verbale apo nëpërmjet raporteve të ndryshme, shtetet anëtare të BE-së dhe zyra e BE-së hartuan një dokument të shkurtër që kërkon nga liderët politik që të përshpejtojnë procesin e reformës zgjedhore duke futur edhe hisedarë tjerë në këtë proces dhe sugjeron një sërë përmirësimesh të tjera. Ndër të tjera, BE sugjeron heqjen e votës preferenciale, përdorimin e ngjyrës së zezë për shenjim se është votuar, përmirësojë raportimin e mediave, të mbajë zgjedhjet lokale në afat kohor, etj.

Problemet tjera si drejtorët e shkollave, përbërja e KKZ-ve, heqja e votës me kusht dhe votimit përmes postës për zgjedhjet lokale, publikimi i hershëm i listës votuese, puna e gjyqësorit, qartësimi se me cilat dokumente mund të votohet kanë zënë vend në diskutimet e liderëve politikë por disa nga këto edhe në shkresën e BE-së.

Disa vendime të liderëve partiakë bien në kundërshtim me sugjerimet e BE-së, siç është vendimi që votat të numërohen në një qendër komunale. Zgjedhje të kontestuara me arbitër të kontestuar dhe që nuk ka kredibilitet për të zgjidhur kontestet është skenari i cili mund të shpie në dhunë politike.

Në këtë publikim, D4D prezanton këto dy dokumente, dhe paraqet se ku jemi tani, me qëllim që të ushqejë debatin për reformë zgjedhore i cili me siguri se do të fillojë menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale.

Hulumtimi për këtë punim është kryer nga: Rasim Alija.