Bllokimi i suksesshëm: Si e ndali fushata e Serbisë për çnjohje ngarendjen e Kosovës drejt njohjes universale

26.03.2021 Luke Foley

Pavarësia e Kosovës është dëshmuar të jetë një çështje gjeopolitike shumë polarizuese gjatë dy dekadave të fundit. Mbështetësit e këtij vendi besojnë se ai e meriton shtetësinë sepse i ka karakteristikat e një shteti siç përshkruhet nga Konventa e Montevideos: një popullsi e përhershme, kufij të përcaktuar, vetëqeverisje dhe mundësi për të bashkëvepruar me shtetet e tjera. Kundërshtarët argumentojnë se Kosova është përpjekur të shkëputet nga Serbia në mënyrë të njëanshme dhe të paligjshme.

Serbia nuk është e vetme në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës. Një numër vendesh të tjera, ndonëse më pak të zëshme se Serbia, qëndrojnë të palëkundur në refuzimin e tyre për të njohur Kosovën, për sa kohë që nuk ekziston një marrëveshje me të cilën pajtohen të dy palët.  Më të spikaturat në mesin e tyre janë Rusia dhe Kina, të cilat, si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kanë të drejtën e vetos mbi çdo rezolutë thelbësore të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Atyre u janë bashkuar edhe pesë vende anëtare të BE-së, Spanja, Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia, çdonjëra prej të cilave e shmang njohjen e Kosovës nga frika se kjo do të shfrytëzohej nga lëvizjet e heshtura secesioniste brenda kufijve të tyre. Derisa këto vende kanë kundërshtuar prej kohësh njohjen e Kosovës, gjatë viteve të fundit ka pasur një valë çnjohjesh. Që nga nëntori 2019, Beogradi pretendon se shtatëmbëdhjetë vende e kanë çnjohur Kosovën, që është një përmbysje e trendit që më herët ishte në favor të Prishtinës.

Në vitet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës me 2008, një fushatë e gjerë diplomatike e zhvilluar nga Kosova dhe e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Franca arriti të sigurojë mbi 100 njohje nga vendet anëtare të OKB-së. Të ngazëlluar nga fryma që solli vendimi inkurajues i GJND-së në vitin 2010 dhe të trimëruar nga mbështetja e aleatëve të saj perëndimor me ndikim, njohja universale e shtetësisë së Kosovës u duk e pashmangshme. Sidoqoftë, brenda pak vitesh, Serbia filloi një fushatë konkurruese që synonte të bindte vendet më të vogla dhe që binden më lehtë për të tërhequr njohjen e tyre të Kosovës. Kjo fushatë duket se ka kthyer këtë hov në drejtim të Beogradit – marrëveshja e Izraelit për të njohur Kosovën e shpallur në shtator 2020, i dha fund mungesës më shumë se dyvjeçare të njohjeve që nga njohja e Barbadosit në shkurt 2018. Megjithëse Serbia dhe Kosova i kontestojnë numrat, të paktën 98 vende vazhdojnë ta mbajnë njohjen e Kosovës.

Ky punim diskuton njohjen e shtetit në kontekstin e fushatave rivale të Kosovës dhe Serbisë, duke analizuar bazat teorike të të dy fushatave para se të shqyrtojë strategjitë e tyre përkatëse dhe efektivitetin që ka rezultuar prej tyre. Diskutimi fillon me një vështrim të përgjithshëm të sfondit ligjor të mosmarrëveshjes, dhe pastaj kthehet në çështjen e njohjes. Pastaj vjen pjesa për çnjohjen, e pasuar nga një analizë e fushatës së Serbisë për çnjohje dhe ndikimi i saj në perspektivën e Kosovës për njohje universale.