Besimi në politikë – Përceptimi për përfaqësimin në Kosovë 2012-2023

20.08.2024

Afërsia e qytetarëve me politikën ka shënuar nivelin më të  ulët në vitin 2016. Beteja politike ishte e ashpër dhe qytetari nuk i besonte më partive në rënie por akoma nuk i kishte dhënë besimin Vetëvendosjes në rritje e sipër. Sivjet ka rënie të lehtë krahasuar me vitin 2019.

Votuesit urban, gratë, të rinjtë e të papunët që nuk janë duke kërkuar punë, dhe votuesit me të ardhura mbi mesatare ndjehen më pak të afërt me politikën. Ndoshta Kosova nuk është aq klienteliste sa është krijuar përceptimi, duke pasur parasysh se anketa ka nxjerrë që kategoria më e politizuar janë të punësuarit në sektorin privat. Nëntë nga dhjetë ithtarë të AAK-së ndihen shumë të afërt, shifra më e lartë nga të gjitha partitë politike (PDK 71%, VV 67% dhe LDK 56%).

Është lajm i mirë që ka rënie të militantëve partiak si dhe ka rënie të numrit të qytetarëve që nuk ndjehen të afërt me asnjë parti. Politika është bërë më e personalizuar dhe më pak me çështjet dhe programin, gjë që është një trend negativ.

Krahasuar me vitin 2012, më shumë votues sot e zgjedhin partinë e tyre të preferuar bazuar në afinitetin e tyre për liderët dhe më pak për shkak të interesit kombëtar. Rritja e Vetëvendosjes duket ka rritur shkallën e respondentëve që zgjedhin partinë për shkak të liderit (34% në vitin 2023, krahasuar me 27%, njëmbëdhjetë vjet më parë).

Më pak kosovarë vlerësojnë cilësinë e programit të partisë si të rëndësishme kundrejt numrit të respodentëve që e vlerësojnë cilësinë e ekipit, listën e kandidatëve apo përfaqësimin rajonal.

Në ditën e anketës (qershor 2023), 58% të respondentëve u deklaruan se gjithsesi do të votonin dhe trendi ishte më i lartë tek burrat (2/3) sesa tek gratë (gjysma) edhe pse pjesa e mbetur e grave u deklaruan se do të votonin por por nuk ishin të sigurta. Votuesit nga zonat rurale deklarohen më të gatshëm për të votuar ashtu si edhe të moshuarit.

Grup-mosha më e re duket të jetë më patriotikja (votimi në interes të Kosovës), grup mosha 25-34 vjeç kanë interes për cilësinë e programit, respodentët e moshës së mesme vlerësojnë cilësinë e ekipit, ndërsa të moshuarit e shohin udhëheqësin si më të rëndësishmin. Votuesit që kanë arsimim më të lartë vlerësojnë përfaqësimin rajonal.

Shumica e votuesve të LVV dhe AAK kanë përzgjedhur subjektin e tyre për shkak të liderit. Votuesit e PDK mbështesin subjektin e tyre për shkak të cilësisë së ekipit përderisa LDK-ja përzgjedhet për shkak të cilësisë së programit. AAK-së dhe PDK-së u besohet më tepër nga ata që dëshirojnë që rajoni i tyre të përfaqësohet përderisa LVV dhe LDK kanë mbështetje më të shpërndarë.

Ka rënie të mbështetjes për kandidatë të dëshmuar profesionalisht. Në vitin 2012, 23% të qytetarëve kishin deklaruar se shpejtë e shpejtë kanë përzgjedhur 5 emra në fletëvotim – kjo ka rënë dukshëm që shënon përmirësim dhe kujdes më të madh në përzgjedhje. Votuesit urban kërkojnë dëshmi profesionale përderisa votuesit rural favorizojnë që kandidatët nga vendbanimi i tyre.