Analizë mbi funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare në Kuvendin e Kosovës

18.09.2025

Parlamentet nuk janë vetëm vende ku hartohen dhe miratohen ligje, por institucione që kanë përgjegjësinë të mbikëqyrin qeverinë dhe të mbrojnë interesin e qytetarëve. Kur ky rol nuk
përmbushet si duhet, vetë demokracia vihet në rrezik. Prandaj, mbikëqyrja parlamentare është një pjesë thelbësore e funksionimit të një shteti demokratik.

Një nga mjetet më të rëndësishme për këtë mbikëqyrje janë komisionet hetimore parlamentare. Ato formohen për të hetuar raste të veçanta ku ka dyshime për parregullsi, keqpërdorime apo
dështime institucionale. Përmes dëshmive, dokumenteve dhe analizave të pavarura, këto komisione ndihmojnë që e vërteta të vihet në pah, duke rritur transparencën dhe duke rikthyer
besimin e qytetarëve në institucione. Përveç kësaj, ato kanë edhe një efekt parandalues, pasi dërgojnë mesazhin se qeverisja duhet të jetë gjithmonë e përgjegjshme dhe nën vëzhgim.

Në Kosovë, komisionet hetimore të Kuvendit kanë trajtuar tema të ndjeshme dhe shpesh të debatueshme politikisht, duke treguar se ekziston një kërkesë e fortë për llogaridhënie dhe qartësi
institucionale. Megjithëse sfidat mbeten si kufizimet ligjore apo tensionet politike përvoja e deritanishme ka treguar rëndësinë e këtyre mekanizmave. Ky raport sjell një vlerësim të qartë dhe të krahasuar të përvojës së Kosovës, duke ofruar rekomandime praktike për ta forcuar rolin e komisioneve hetimore dhe për ta bërë demokracinë më funksionale dhe më të besueshme.