Memorandumi reagues Nr. 6 – Reforma Zgjedhore

14.11.2016 D4D

Për: Kuvendin e Kosovës, Presidentin e Kosovës, Kryeministrin e Kosovës, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve

Nga: Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D)

VEPRIMI I REKOMANDUAR

Diskutimet mes përfaqësuesve të subjekteve politike për reformën zgjedhore, iniciuar nga Presidenti i Republikës së Kosovës, duhet të jenë vazhdimësi e reformës zgjedhore filluar në vitin 2010 dhe të bazohet në Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës Nr. 04-R-02, Prill 2011.

ÇËSHTJA

Presidenti i Republikës së Kosovës, në nëntor të këtij viti, ka ftuar të gjitha subjektet politike si dhe shoqërinë civile, për të diskutuar reformën zgjedhore. Në dy takimet e iniciuara nga Presidenti, opozita ka refuzuar të merr pjesë, derisa në këto takime është diskutuar për çështjet të cilat prekin ndryshim plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ato të Legjislacionit për zgjedhjet. Në takimin e fundit me 11 nëntor, Presidenti i Republikës së Kosovës, ka vendosur për themelimin e dy grupeve punuese, atë për amandamentim të Kushtetutës dhe grupin punues për ligjin e përgjithshëm të zgjedhjeve. Janë përcaktuar edhe afatet për propozimet e këtyre grupeve me ç‘rast propozimet për ndryshimet që prekin ligjin e zgjedhjeve duhet të jepen deri më 5 dhjetor, ndërsa dhe çështjet që prekin ndryshimet në Kushtetutë deri me 10 dhjetor. Duke marrë parasysh punën e bërë në të kaluarën si dhe Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, vazhdimi dhe përfundimi i kësaj reforme nuk duhet politizuar dhe lidhur me një person apo parti politike. Të gjithë ata që sot janë pro apo kundër iniciativës së re për reformë zgjedhore kanë marrë pjesë në mënyrë aktive në procesin e zhvilluar vite më parë. Ky fakt tregon se të gjithë janë të interesuar për reformë zgjedhore dhe kjo nuk duhet injoruar. Në vitin 2011 përkundër kritikave të shumta rreth mënyrës se si është sjellë në agjendë reforma zgjedhore, Kuvendi i Republikës së Kosovës aprovoi një rezolutë e cila ishte rezultat i një procesi gjithëpërfshirës ku morën pjesë si partitë e pozitës , opozitës si dhe shoqëria civile. Përkundër procesit të tejzgjatur, dhe tejkalimit të afateve kohore të vendosura nga Kuvendi, rezultatet nuk munguan. Megjithatë, edhepse një numër i madh çështjesh u vendosën, miratimi i reformës dështoi në momentin kur partitë politike filluan të bëjnë kalkulime partiake duke anashkaluar interesin e shtetit e për më shumë interesin e qytetarëve të Kosovës. Për t‘i lënë anash paragjykimet rreth momentumit të kësaj iniciative, personifikimit të kësaj reforme, është e nevojshme që të tejkalohen problemet tjera dhe të punohet që të gjitha partitë përkundër kontradiktave të mëdha të vazhdojnë me punën e filluar në vitin 2011. Konsensusi politik është parakusht i përmbylljes me sukses të procesit të reformës zgjedhore, dhe si e tillë të ketë një pranim të gjithanshëm. Në mënyrë që të kemi një tejkalim të kundërshtimeve aktuale, duhet që të gjitha partitë të dakordohen që çështja e reformës zgjedhore të kthehet prapë në patronatin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

OPSIONET

Duke marrë parasysh rëndësinë që procesi i reformës zgjedhore të jetë gjithëpërfshirës, nuk mbeten shumë opsione në tavolinë. Opozita nuk është kundër reformës zgjedhore, por insiston që fillimisht të mbahen zgjedhjet e parakohshme dhe pastaj të punohet në reformë zgjedhore. Pozita në anën tjetër preferon reformën zgjedhore dhe pastaj zgjedhjet. Emërues i përbashkët është reforma zgjedhore dhe zgjedhjet por dallimi është tek renditja e këtyre dy veprimeve.

1. 1a. Përderisa ata që kërkojnë zgjedhje të parakohshme e kanë të qartë se është vështirë të arrihet kjo për një periudhë të shkurtër, jo vetëm për arsye politike por edhe teknike, duhet të pajtohen që të fillohet me reformë zgjedhore gjë të cilën ata e përkrahin por me kushtin që në të njejtën kohë të caktohet përfundimi i reformës së filluar si dhe caktimi i datës së zgjedhjeve të ardhshme nacionale.

1b. Në anën tjetër, ata që përkrahin reformën zgjedhore para zgjedhjeve duhet të pajtohen që të ketë zgjedhje të parakohshme por me kusht që të përmbahen afatet e caktuara për përfundimin e reformës zgjedhore si dhe praktikat më të mira të komisionit te Venecias lidhur me këtë çështje. Që të arrihet një marrëveshje në këtë drejtim duhet të kemi pajtushmëri të krerëve të subjekteve politike e cila do të konfirmohej me rezolutë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që do të ishte vazhdimësi e rezolutës së vitit 2011.

2. Nëse nuk arrihet një konsensus rreth reformës zgjedhore të rifilluar tani, opsioni tjetër duhet të jetë arritja e një konsensusi që reforma zgjedhore të fillojë menjëherë pas mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme nacionale kurdo që ato të mbahen. Një marrëveshje e tillë duhet të aprovohet nga liderët e partive politke, si dhe të aprovohet një rezolutë nga kuvendi.

3. Opsioni i tretë, ai i zhvillimit të reformës zgjedhore pa opozitën do ti ketë mangësitë e veta, si dhe pasoja të dëmshme politike për një kohë të gjatë.

ZBATIMI

Menjëherë

1. Të ftohen përfaqësuesit e të gjitha partive politike nga Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në një takim për të diskutuar hapat e mëtejmë për reformën zgjedhore. Me pajtimin e të gjitha partive politike të caktohet afati 6 mujor për përfundimin e reformës zgjedhore duke marrë parasysh rezultatet e punës së përbashkët në reformën e filluar në vitin 2011.

2. Të riaktualizohet komisioni për reformë zgjedhore ashtu siç ka qenë në vitin 2011 dhe ta përfundojë punën në afat prej tre muajsh. Çështjet e pazgjidhura në Komision t‘i dërgohen krerëve të partive politike që në takimet e tyre të përbashkëta në një afat prej tre muajsh të gjejnë një zgjidhje. Pas 6 muaj pune të përbashkët të dërgohen në kuvend për miratim të gjitha çështjet që janë vendosur në takimet e komisionit si dhe në takimet e krerëve politik.

3. Me aprovimin e ndryshimeve ligjore të reformës zgjedhore duhet të mbahen zgjedhjet sipas afatit të caktuar në fillim të kësaj marrëveshje.