• Shqip

Diskutim partiak apo diskutim publik për zgjedhjet lokale 2017?

08.09.2017 Blerina Ramaj

Me zyrtarizimin e kandidatëve/eve për kryetar/e të komunave kemi filluar t’i dëgjojmë prioritetet e tyre mbi atë se për çfarë ndryshime kanë nevojë qytetet tona.  Nuk e mbaj mend herën e fundit kur patëm një dëgjim publik apo krijim të një liste të hartuar nga kërkesat e qytetarëve mbi problemet me të cilat ballafaqohen çdo ditë. Shumicën e programeve të partive politike qoftë për qeverisje qendrore apo lokale, nuk mund t’i gjejmë në versionin elektronik apo të printuara deri ditët e fundit të fushatës zgjedhore. Nga ne pritet që t’i mbajmë në mend dhe t’i krahasojmë tërë kohën. Përjashtim mund të bëhet në zgjedhjet në Prishtinë, ku kandidatët janë më të përgatitur, ndoshta për faktin që Prishtina është kryeqendër dhe tashmë është vendosur një standard më i lartë i pritshmërive.  Nëse përjashtojmë Prishtinën me 6 qytetet e tjera të mëdha Pejën, Gjakovën, Prizrenin, Gjilanin, Ferizaj dhe Mitrovicën mbesin edhe 31 komuna të Kosovës që mbesin në duar të kandidatëve/eve që nuk janë adekuatë për pozitën që kandidojnë.

Si rezultat i kësaj, fushata elektorale e kandidatëve/eve për kryetar/e komune mund të themi se do të jetë ajo e njëjta e viteve paraprake: e orientuar drejt tubimeve të mëdha elektorale në numër për të treguar fuqinë partiake që kanë partitë e caktuara në ato zona. Në këto tubime elektorale fjalën kryesore do ta kenë liderët e partive, kurse në rend të dytë janë kandidatët/et, të cilët do të përpiqen të na bindin sërish se problemet tona do të zgjidhen ‘brenda natës’.  Kurse në anën tjetër, militantët dhe simpatizantët/et që do të përkrahin pa kushte kandidatin/en e tyre. Mungesa e dëgjimeve apo diskutimeve publike me qytetarë të thjeshtë që kërkojnë zgjidhje të problemeve të përditshme duket se nuk gjenden në diskursin e kandidatit/es. Edhe kur ka dëgjime publike apo diskutime me qytetarë, të pakta janë ato dëgjime që të mos themi fare kur kandidati/ja dëgjon një nga një problemet e qytetarëve dhe ofron zgjidhje për to, nga qytetarët që nuk janë të asaj partie. Kjo bën që edhe vota jonë të përcaktohet mbi atë çfarë ofrohet, e jo mbi atë se çfarë ne kërkojmë edhe kemi nevojë. Thjeshtë analiza jonë për kandidatët/et fillon dhe mbaron në biseda të rëndomta me frazat të tilla “mirë ka folur” apo “të paktën nuk është i korruptuar”. Këto dy kushte janë ato që kryetari/ja potencial e komunës duhet t’i përmbush që ta ketë votën tonë.  Përderisa kapaciteti i personit, shkollimi, eksperiencat e mëhershme që do t’ia mundësonin atij/asaj udhëheqjen e komunës dhe aftësitë menaxhuese të proceseve me rëndësi për katër vitet e ardhshme nuk është se e vëmë në diskutim.

Për shkak të mos ofrimit të kandidatëve/eve adekuat për pozitën e të parit/es të komunës ne kemi ulur kërkesat dhe standardin ndër vite. Por kjo nuk duhet të na pengojë që kërkesat t’i parashtrojmë dhe të kërkojmë që ato të futen në programin qeverisës të kandidatëve/eve. Mobilizimi qytetar për nevojat e komunitetit në të cilin jetojmë është bazë për një qeverisje të mirë lokale për katër vitet e ardhshme. Programet e partive politike duhet të jenë gjithëpërfshirëse e jo vetëm të përfaqësojnë interesat e elektoralit të vet. Ne si votues duhet të gjejmë mënyra që kërkesat tona t’i vendosim tek plan programet e partive me kusht të votës tonë por edhe mbajtjes së premtimit. Kjo bëhet duke kërkuar dëgjime dhe diskutime të nivelit më të ulët me kandidatët/et. Nëse e shikojmë në anën tjetër, dëgjimet publike do t’i ndihmonin edhe vet kandidatin/en që të krijojë një plan qeverisës të thjeshtë, të çasshëm dhe që pasqyron me të vërtetë nevojat dhe prioritetet e qytetarëve. Edhe puna e tij/saj gjatë mandatit do të ishte shumë më e lehtë, sepse gjithmonë do ta kishte bashkëpunimin e qytetarëve. Në shumë vende pjesëmarrja publike është bërë një parim qendror i bërjes së politikave publike. Në Britani është vërejtur se të gjitha nivelet e qeverisjes duke filluar nga ato të nivelit më të ulët lokal kanë filluar t’i angazhojnë qytetarët dhe palët e interesit në krijimin e politikave. Dëgjimet publike në këto vende përfshijnë konsultime në shkallë të gjerë, hulumtime nga grupet e fokusit, forume diskutimi në internet ose dëgjime me qytetarë. Por tek ne duket se nuk është ndonjë praktikë në agjendën e politikanëve tanë.

Sallonet e së martes që organizon D4D që shtatë vite me rradhë, ka sjellë në qytetet e Kosovës një frymë të re të diskutimit duke promovuar dialogun ndërmjet akterëve të ndryshëm në vend të debateve të ashpra televizive. Në një hapësirë të vogël ndërmjet qytetarëve dhe politikanëve vërehet nevoja e rritjes së komunikimit ndërmejt dy palëve. Përderisa qytetari dhe politikani apo përfaqësuesi i institucionit duhet të kenë komunikim të vazhdueshëm kjo vështirë që do të ndodhë në përditshmëri. Kjo më së miri është vërejtur tek temat që kanë shtjelluar problemet e qeverisje qendrore dhe prioritetet e tyre. Përderisa prioritet i Qeverisë konsiderohej ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, kërkesa e një të riut ishte që do të donte ta shprehte mendimin e tij lirshëm në ligjeratë e mos të penalizohet pse ka një mendim ndryshe nga profesori. Kjo është shenja e parë e mos-funksionimit të kërkesës dhe ofertës në tregun tonë të qeverisjes. Në këtë frymë kërkesat e pyetjet e qytetarëve në nivel lokal duhet të adresohen në këtë rast nga kandidati/ja jonë për kryetar/e komune. E vetmja mënyrë që të arrihet kjo është përmes diskutimit e dëgjimi publik të drejtpërdrejtë me qytetarë. Diskutimet publike kanë fuqi që të ndërrojnë kahjen shumë proceseve, pasi që ato përfaqësojnë një entitet kolektiv shoqëror. Rekomandimet e dhëna në dëgjimet publike përbëjnë thelbin e çdo legjislacioni ose politike në vend. Nëse një vendim nuk merr përkahjen e qytetarëve atëherë ai nuk do të ketë përkrahje në implementim. Një zyrtar publik duhet të marrë në konsideratë rekomandimet e dhëna nga qytetarët përderisa merr një vendim për ta.

Qytetaria jonë aktive është çelës i zgjidhjes të problemeve që hasim çdo ditë nga keq-qeverisja shumëvjeçare. Duhet t’i jipet fund praktikës ku pas çdo premtimi të mos-mbajtur të politikanëve vetëm të diskutohet e të flitet, e të përfundojë e gjitha me disa diskutime mediale brenda një jave. Mendoj se ka ardhur koha që vëmendja të largohet nga politikanët dhe të vendoset tek vet qytetarët/et. Pasi që përgjegjësia është e jona se cili person do t’a udhëheqë komunitetin tonë dhe t’a mbajmë llogaridhënës. Në fund të fundit, po flasim për një fuqi të një personi që ia japim ne dhe që do ta përdorë për katër vite. Një fuqi e tillë thjesht nuk është e jashtëzakonshme dhe ne kemi mundësinë ta rizgjedhim apo jo. Një shtet është ndërtuar me pëlqimet dhe rekomandimet që japin anëtarët e shoqërisë. Nëse idetë dhe perspektivat e qytetarëve nuk transmetohen në arenën politike, nuk mund të themi se do të presim shumë nga kjo qeverisje katër vjeçare.