• Shqip

Këshilltarët komunal të flasin për çerdhet e fëmijëve e jo për ‘çerdhet e partive’

05.08.2019 D4D

Këshilltarët komunal apo siç njihen ndryshe në opinion ‘asambleistët’ kanë rol të shumëfishtë në politikberjen lokale. Është e pasaktë përshtypja që ata nuk kanë rol të madh, aq sa është e pasaktë përshtypja që ata nuk mund të japin kontribut të madh. Temë diskutimi mund të jetë nëse ata e bëjnë punën ‘mirë’ dhe nëse janë të përkushtuar e serioz në atë që bëjnë. Por në secilën fushë brenda kompetencave të qeverisjes lokale këshilltarët komunal mund të jenë të përfaqësuar, madje në shumë raste edhe vendimmarrës. Askush nuk mund të kërkojë dhe as që po kërkon që këshilltaret të mos i përfaqësojnë partitë e tyre politike, por të gjithë duhet të kërkojmë që këshilltarët t’i përfaqësojnë dhe t’i mbrojnë interesat e qytetit dhe qytetarëve dhe jo të flasin vetëm me gjuhën që i konvenon partisë dhe udhëheqjes së tyre. Në shumicën e rasteve ka ndodhur e po ndodh kjo e dyta. Në një hulumtim që Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka zhvilluar brenda projektit “Mozaiku i Komunave” i publikuar para dy viteve, 76% e të intervistuarave kanë deklaruar se nuk i njohin asnjërin nga këshilltarët komunal, nuk kanë pasur ndonjë takim me ta, ose nuk e din saktë se çka bëjnë ata brenda Kuvendit komunal. Kjo do të duhet t’i shqetësonte këshilltarët, ata do të duhet të behën me aktiv jo vetëm brenda Kuvendeve Komunale, por edhe jashtë saj.  Nëse këshilltaret do të dilnin në terren në mënyrë të vazhdueshme dhe të komunikonin me qytetarët atëherë kjo do t’u ofronte atyre me shumë legjitimitet, me shumë informata dhe me shumë ndikim në rrjedhat e politik bërjes lokale. Shumë çështje do të duhet të inicioheshin nga vetë këshilltaret në Kuvendet komunale, pa e pritur të gatshëm listën e temave që ata ndihen të ‘obliguar’ të diskutojnë ose votojnë. Për te ilustruar ketë mjafton të përmendet një rast në një seancë të Kuvendit komunal të Prizrenit i zhvilluar në prill të këtij viti ku njeri nga këshilltaret kërkoi fjalën duke venë theksin në gjerat që ai i kishte hasur gjatë rrugës për të shkuar në Kuvend Komunal. “Me thoni të nderuar përfaqësues të ekzekutivit, si është  e mundur një fasulet të mbaj në duar për rreth 40 minuta në mungesë të një shportë të mbeturinave për ta hedhur atë, me thoni të nderuar si është e mundur që të hasesh fëmijë duke shkuar në shkollë dhe ecin rrugës se paraparë për automjete, ndërsa trotuaret janë të zëna nga veturat, si është e mundur të nderuar që në qendër të qytetit në afërsi të xhamisë kryesore rri e hapur një puset tash e tre muaj dhe askush nuk ndërmerr asgjë”. Dy (shportat dhe puseta) prej tri nga këto pyetje ose probleme të adresuara nga këshilltari janë adresuar nga ekzekutivi dhe janë zgjidhur se paku pjesërisht brenda pak javësh. Ky është një shembull që një këshilltar flet konkretisht, e jo politikisht, shembull që tregon dhe e reflekton përditshmërinë e tij me qellim të përmirësimit të saj, shembull që tregon se ‘kompetencat lokale’ nuk janë përballje e përplasje gladiatorësh, por përballje e përplasje me problemet që hasen në qytet. Ky është një shembull i mirë, i cili duhet promovuar, forcuar dhe praktikuar sa me shumë nga këshilltarët. Kemi edhe dhjetëra raste tjera që shembujt nuk janë të mirë, këshilltar me qasje ‘pasive absolute’ me qasje ‘indiferencë totale’ me qasje ‘partiake të skajshme’  dhe me qasje ‘të përfitimeve personale e familjare’. Puseta mund të mbetej e hapur, ashtu siç edhe rreziku që secili nga ne të mund të lëndohet në te. Koha jonë jashtë shtëpisë është me e gjatë se koha jonë brenda saj, ndërsa interesimi dhe përkushtimi për hapësirën jashtë shtëpisë është dukshëm me i vogël se sa për atë që ngjet brenda mureve tona. Një këshilltar komunal duhet të dijë me saktësi dhe me imtësi se çka ndodh në qytetin e tij ose të saj, edhe në arsim, edhe në shëndetësi, kulturë, rini, investime publike e urbanizëm. Mungesa e informimit të tyre është rezultat i mungesës se mosinteresimit dhe mos përkushtimit të tyre. Kjo nuk i kontribuon qytetit dhe qytetarëve dhe as zhvillimit institucional e progresit të tyre individual.