Për: Presidenten, Kryeministrin, Ministrin e punëve të brendshme
Nga: Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D)
VEPRIMI I REKOMANDUAR
Pas nisjes së zbatimit të marrëveshjes IBM në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe paralajmërimit të shkëmbimit të zyrtarëve ndërlidhës në mes tyre, udhëheqësit e këtij procesi duhet të fillojnë të parashikojmë një kornizë të përgjithshme të vendosjes së marrëdhënieve. Modeli i dy Gjermanive është përmendur shumë, diskutuar pak, dhe eliminuar lehtë pa analizuar përfitimet. Sipas këtij modeli, Kosova e Serbia do të mund të merreshin vesh që të njohin ekzistencën e njeri tjetrit—territorin, sovranitetin e brendshme dhe të jashtëm—pa u njohur zyrtarisht dhe simbolikisht. Mund të jetë vonë dhe joserioze të insistohet në diçka që është refuzuar më herët. Megjithatë, do të ishte mirë që vendimmarrësit të marrin parasysh këtë qasje për zgjidhjen e problemit, që do të ishte në interes të Kosovës më shumë se procesi i tanishëm. Modeli i dy Gjermanive mund të jetë platformë e Kosovës për normalizim të përkohshëm të marrëdhënieve.
ÇËSHTJA
Modeli i dy Gjermanive është përmendur shumë, diskutuar pak, dhe eliminuar lehtë. Instituti D4D ka analizuar këtë model, jo me qëllimin për të promovuar atë por me qëllimin që të kuptohet më thellë dhe të diskutohet më gjerë. Nuk mund të mohohen arritjet e dialogut teknik dhe tanimë politik në mes të Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, ka përparësi të rëndësishme me marrjen e modelit të dy Gjermanive, sipas modelit të marrëveshjes në mes të Republikës Demokratike të Gjermanisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë.
Ky model u përjashtua nga vendimmarrësit për shkak të disa konsideratave sipërfaqësore. Në një aspekt, modeli ka tërhequr simpati për shkak të raporteve de facto shtetërore dhe anëtarësimin e Gjermanisë Lindore në OKB si rezultat. Argumentet kundër ishin se atje na qenka një popull i cili tri dekada më vonë është bashkuar. Për fat të keq, argumentet emotive të kundërta diktuan paragjykim të tillë për Kosovën dhe Serbinë, duke bërë marrëveshjen politikisht të ndjeshme. Çfarëdo vendimi që duhet të merret për këtë model duhet pas një analize pak më të thellë.
Së pari, të sqarojmë se në rastin tonë nuk kemi të bëjmë me një popull por me dy. Pesha e një traktati ndër-shtetëror është superiore në krahasim me atë që presim të na ofrohet me ‘normalizimin’ e mjegullt. Fakti se eventualisht janë bashkuar dy Gjermanitë nuk ka të bëjë asgjë me traktatin fillestar por me vullnetin e popullit gjerman për tu bashkuar. Në rastin tonë ky vullnet nuk ekziston as në Kosovë dhe as në Serbi.
Argumentet kryesore pro që do të trajtohen më poshtë janë:
(a) marrëveshja është bërë në formë të traktatit;
(b) de facto bëhet trajtimi i njëri tjetrit si shtet;
(c) arrihet anëtarësimi në OKB për të dy palët; dhe
(d) Republika Demokratike e Gjermanisë përmendet me emër të plotë përfshirë fjalën ‘republikë’.
Traktati përmend „raportet e mira fqinjësore“ dhe themeloi legatat e përhershme. Edhe pse jo ambasada, „legatat“ janë larg më të avancuara dhe bartin peshë më të rëndë diplomatike sesa „zyrtarët ndërlidhës“ për të cilën është arritur pajtim në dialogun politik. Më e rëndësishmja, traktati parasheh „pacenueshmërinë e kufijve dhe respektin për integritet territorial dhe sovranitet“. Bashkëpunimi përmend „dy shtete“ dhe nuk cenon shtetësinë e njërës palë nga pala tjetër, përkundër mosnjohjes.
Shtetësia sovrane më tutje forcohet nga neni 2 (të traktatit në mes të dy Gjermanive) i cili rregullon që raportet e të dy vendeve do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, „veçanërisht të barazisë sovrane të të gjitha shteteve“. Në mes tjerash përmend „respektin për pavarësinë e tyre, integritetit territorial, të drejtës për vetëvendosje“.
Më hollësisht, neni 3 afirmon „pacenueshmërinë“ e kufijve, zgjidhjen e të gjitha problemeve në paqe, dhe respektin për integritet territorial të njëri tjetrit. Në nenin 4 të dy republikat pajtohen që asnjëra mos të përfaqësojë njëra tjetrën në skenën ndërkombëtare apo të veproj në emër të tjetrit. Neni 6 kufizon jurisdiksionin sovran të njërës dhe tjetrës republikë brenda territoreve të tyre. Traktati madje obligon të respektojnë pavarësinë dhe autonominë e njëri-tjetrit për çështjet e tyre të brendshme dhe të jashtme.
Lista e lëmive për bashkëpunim është gjithashtu shumë e gjerë, dhe përfshin shumë më tepër lëmi sesa bashkëpunimi teknik ka pasur dhe që mund të ketë ambicie për të ardhmen (p.sh. përfshin raportet gjyqësore).
OPSIONET
Opsioni më i thjesht do të ishte vazhdimi i procesit të dialogut me agjendën e tij, e me propozimet e BE-së, Kosovës dhe Serbisë. Dialogu ka shënuar përparim të dukshëm por Kosovës nuk i konvenon një qasje inkrementale pa cak të dukshëm. Kjo ka gjasa të rezultojë me një devalvim të asaj që Kosova e nënkupton si ‘normalizim’ dhe ti mundësojë Serbisë të fitojë datën e negociatave duke bërë pak për raportet me Kosovën. Me këtë model, rezultati do të jetë vetëm emëruesi më i vogël i përbashkët në mes të Serbisë dhe Kosovës, pa asnjë tipar të marrëdhënieve dypalëshe shtetërore që i imponohet Serbisë.
Kosova duhet të që të nënshkruajë një traktat të ngjashëm me atë në mes të dy Gjermanive deri në qershor të vitit 2013. Dallimet dhe konfuzionet emotive është lehtë t’i shpjegohen publikut kosovar në krahasim me përfitimet reale potenciale që rezultatet mund të arrijnë.
ZBATIMI
Menjëherë Insistoni që të lansohet modeli i dy Gjermanive si platformë e Kosovës për normalizim të përkohshëm të marrëdhënieve. Kosova duhet të loboj për këtë model tek të gjitha vendet e rëndësishme aleate. Ky proces mund të krijoj pritje tërësisht tjera dhe të vendos Serbinë në mbrojtje dhe e vë peshën e argumentimit tek Serbia se pse duhet refuzuar një shembull të suksesshëm.
6 muaj
Nënshkruhet traktati, zbatimi i të cilit mbikëqyret nga BE-ja, duke kërkuar njohën formale në fazë tjetër drejt anëtarësimit në BE.