D4D ka lansuar punimin “Matja dhe vlerësimi i politikave të riintegrimit”

22.03.2019

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) më datë 21 Mars 2019, ka lansuar punimin Matja dhe vlerësimi i politikave të riintegrimit, i cili ka për qëllim të analizojë ndikimin e politikave ekzistuese dhe skemave mbështetëse që adresojnë nevojat e të rikthyerve në Kosovë.

Në këtë drejtim, raporti synon të informojë palët e interesit për zbatimin e politikave ekzistuese, duke analizuar perceptimin, përvojat, perspektivën për strukturat relevante, si dhe shërbimet që u ofrohen emigrantëve të kthyer në Kosovë.

Pjesë e panelit në lansimin e punimit ishin Gersi Gashi, Hulumtues i politikave, Demokraci për Zhvillim (D4D), Aliriza Arenliu, Autor i punimit, Ilir Mazreku, Kosovo Experts Group, Kushtrim Nreci, Ministria e Punëve të Brendshme.

Përgjatë diskutimit, në lidhje me punimin e publikuar, u theksua se dokumenti përdor tri burime të informatave: (a) të dhënat ekzistuese, (b) anketat e zhvilluara me të rikthyer, dhe (c) grupe të fokusit të mbajtura me përfitues/e të skemave. Gjithashtu, u theksua se gjetjet synojnë të rrisin edhe më tej ndikimin e politikave në riintegrimin e të kthyerve, duke dhënë rekomandime bazuar në gjetjet e hulumtimit.

Në reflektim të punimit, pjesëmarrësit në diskutim ngritën çështje të ndryshme rreth sfidave me të cilat përballen institucionet e vendit sa i përket riintegrimit të qëndrueshëm, duke pohuar se Kosova përgjatë viteve 2014/2015 kishte fokusin më shumë në riintegrim emergjent, e jo afatgjatë. Sfidë tjetër u specifikua edhe përgatitja profesionale e personave të rikthyer, si dhe papunësia, e cila ndikon që procesi i riintegrimit të qëndrueshem të bëhet edhe më i vështirë.

Përgjithësisht, si rekomandime të nevojshme për t’u zbatuar janë theksuar bashkëpunimi më i avansuar ndërmjet akterëve të kësaj fushe, modifikimi i metodave që implementohen për ndarjen e informatatave të sakta, si dhe vazhdimi i decentralizimit, duke përfshirë këtu edhe resurset ekzistuese.

Ky aktivitet mbështetet nga GIZ/DIMAK