“Breakfast Briefing” me këshilltarët e Kuvendit Komunal të Gjakovës

20.03.2019

Rritja dhe përmirësimi i komunikimit në mes të vet anëtarëve të Kuvendit Komunal në rend të parë e pastaj ndërmjet Kuvendit dhe ekzekutivit komunal janë sfidat që anëtarët e këtyre dy organeve të Komunës së Gjakovës duhet t’i shohin si prioritet në drejtim të përmirësimet të qeverisjes brenda Komunës. Një konstatim i tillë doli në takimin jo-formal “Breakfast Briefing” me shefat e grupeve të partive politike të Kuvendit Komunal të Gjakovës.

Qëllimi i këtij takimi është diskutimi i politikave të Komunës së Gjakovës për përmirësimin e parimeve të qeverisjes së mirë, puna e Kuvendit Komunal dhe bashkëpunimi ndërmjet grupeve të partive politike për të shtyrë përpara projekte që adresojnë kërkesat, shqetësimet dhe nevojat e qytetarëve që ata përfaqësojnë.

Kryetarët e grupeve të anëtarëve të Kuvendit Komunal nga partitë në pozitë theksuan gatishmërinë e tyre, por edhe të vet organeve komunale, përfshirë edhe të kryetarit të Komunës për të bashkëpunuar me të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve në komunë. Ndërkaq ata të partive opozitare theksuan se ndihen të anashkaluar dhe të mbi votuar nga partitë në opozitë dhe e ngritën si shqetësim të tyre për futjen e pikave të reja në rend të ditës në mbledhjet e Kuvendit Komunal, pa u konsultuar paraprakisht të gjitha partitë e përfaqësuara në Kuvend dhe pa u respektuar rregullorja e punës.

Ndër temat tjera që u diskutua me krerët e grupeve të partive politike të përfaqësuar në Kuvendin Komunal të Gjakovës, ishin edhe raportet ndërmjet vet partive politike të përfaqësuara në Kuvend, kushtet e punës brenda kuvendit, transparencën dhe komunikimin në mes të organeve të Komunës së Gjakovës si dhe për trajtimin dhe implementimin e kërkesave të qytetarëve në raport me ekzekutivin komunal.

Anëtarët e kuvendit komunal theksuan nevojën e përmirësimin të kushteve të punës, raportin ndërmjet kryetarit dhe Kuvendit Komunal, e në theks të veçantë raportin Komuna – Qytetarë, për të cilin theksuan se është i domosdoshëm për përmirësimin e qeverisjen dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillim brenda komunës.

Ky takim realizohet në kuadër të projektit “Pjesëmarrje e gjerë për qeverisje të mirë”, i cili implementohet nga instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) me mbështetje nga Ambasada Holandeze në Kosovë.