• Shqip

Analizë e rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës nga perspektiva gjinore

25.09.2026 D4D

Përfaqësimi i barabartë i grave dhe burrave në proceset zgjedhore është element thelbësor i demokracisë përfaqësuese. Megjithëse pjesëmarrja e grave në jetën politike të Kosovës është rritur ndër vite, ato vazhdojnë të përballen me pengesa në nominim, zhvillimin e fushatës, sigurimin e mbështetjes së votuesve dhe qasjen në pozitat vendimmarrëse. Për këtë arsye, vlerësimi i përfaqësimit gjinor nuk duhet të kufizohet vetëm te numri përfundimtar i grave të zgjedhura, por duhet të përfshijë të gjitha fazat e procesit zgjedhor.

Ky raport analizon përfaqësimin dhe performancën e grave në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 7 qershor 2026. Analiza shqyrton nominimet e kandidatëve sipas gjinisë dhe subjekteve politike, shpërndarjen e votave ndërmjet grave dhe burrave, dallimet në mbështetjen për gratë sipas komunave, përbërjen gjinore të Kuvendit të ri dhe ndikimin e kuotës gjinore në rezultatin përfundimtar.

Në këto zgjedhje, 21 subjektet politike të certifikuara, përfshirë një kandidat të pavarur, paraqitën gjithsej 902 kandidatë për deputetë. Prej tyre, 311 ishin gra dhe 591 burra, përkatësisht 34% dhe 66%. Gratë siguruan 30% të votave të përgjithshme për kandidatë, ndërsa burrat 70%. Ky dallim tregon se pabarazia gjinore ishte e pranishme si në fazën e nominimit, ashtu edhe në mbështetjen e marrë nga votuesit.

Nga 120 deputetët e zgjedhur, 41 janë gra dhe 79 burra. Gratë përbëjnë rreth 34% të Kuvendit të ri, ndërsa burrat 66%. Nga 41 gratë e zgjedhura, 35 siguruan mandatet pa pasur nevojë për zbatimin e kuotës gjinore, ndërsa gjashtë u zgjodhën përmes saj. Kjo dëshmon se shumica e deputeteve arritën rezultatin e nevojshëm zgjedhor, por njëkohësisht konfirmon rëndësinë e kuotës si mekanizëm mbrojtës për ruajtjen e një niveli minimal të përfaqësimit.

Analiza territoriale evidenton dallime të theksuara ndërmjet komunave. Mbështetja për gratë kandidate varion nga 23% në Graçanicë deri në 45% në Mamushë. Këto rezultate tregojnë se votimi për gratë ndikohet nga një kombinim faktorësh politikë dhe lokalë, përfshirë profilin e kandidateve, dukshmërinë gjatë fushatës, mbështetjen e subjekteve politike dhe lidhjen e tyre me elektoratin.
Përmes paraqitjes së këtyre të dhënave, raporti synon të ofrojë një pasqyrë të bazuar në dëshmi mbi pozitën e grave në procesin zgjedhor dhe të identifikojë fushat ku kërkohet ndërhyrje e mëtejshme. Gjetjet dhe rekomandimet u drejtohen subjekteve politike, institucioneve zgjedhore, mediave dhe organizatave të shoqërisë civile, me qëllim të përmirësimit të mundësive për pjesëmarrje dhe përfaqësim më të barabartë gjinor në proceset e ardhshme zgjedhore.