Ky raport paraqet një analizë të detajuar të përfshirjes dhe përfaqësimit të grave në zgjedhjet lokale 2025, dhe zgjedhjeve të parakohshme për Kuvend të Kosovës të mbajtur me 28 dhjetor të vitit 2025, duke shqyrtuar në mënyrë sistematike të gjitha fazat e procesit zgjedhor – nga nominimi i kandidatëve/eve, te mbështetja elektorale dhe deri te rezultatet përfundimtare të përfaqësimit. Qëllimi i raportit është të identifikojë shkallën e pjesëmarrjes së grave në politikë, të vlerësojë barrierat strukturore dhe institucionale që ndikojnë në këtë pjesëmarrje, si dhe të ofrojë një kuptim më të thelluar të dinamikave gjinore në konkurrencën elektorale.
Zgjedhjet e vitit 2025 përbëjnë një moment të rëndësishëm për analizë, pasi ato përfshijnë si zgjedhjet lokale, ashtu edhe ato parlamentare të mbajtura në një kontekst politik të ndërlikuar dhe me një intensitet të lartë elektoral. Ky kontekst ofron një bazë të vlefshme për të krahasuar modelet e përfaqësimit gjinor në nivele të ndryshme të qeverisjes dhe për të identifikuar dallimet ndërmjet tyre.
Raporti fokusohet në disa dimensione kryesore të përfaqësimit gjinor: (1) përfaqësimin e grave në listat e kandidatëve, (2) rolin e subjekteve politike në nominimin dhe promovimin e grave, (3) mbështetjen elektorale që gratë arrijnë të sigurojnë në krahasim me burrat, dhe (4) përkthimin e kësaj mbështetjeje në mandate dhe pozita vendimmarrëse. Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe rolit të kuotës gjinore si mekanizëm institucional për balancimin e përfaqësimit, si dhe kufizimeve të saj në arritjen e barazisë substanciale.
Qasja analitike e raportit mbështetet në të dhëna kuantitative nga rezultatet zgjedhore dhe listat e kandidatëve, të cilat janë interpretuar përmes një perspektive gjinore, duke synuar të identifikojë jo vetëm nivelin e përfaqësimit, por edhe faktorët që e përcaktojnë atë. Në këtë kuptim, raporti nuk kufizohet vetëm në përshkrimin e të dhënave, por synon të nxjerrë në pah modelet strukturore dhe praktikat politike që ndikojnë në përfshirjen e grave në politikë.
Gjetjet e raportit kontribuojnë në debatin mbi barazinë gjinore në Kosovë, duke ofruar evidencë empirike për politikëbërësit, partitë politike dhe organizatat e shoqërisë civile, me qëllim të avancimit të pjesëmarrjes së grave në proceset demokratike dhe forcimit të përfaqësimit të tyre në institucionet vendimmarrëse.
