Të rinjtë nën presion – Shëndeti mendor dhe tranzicioni drejt punësimit në Kosovë

26.12.2025

Të rinjtë e Kosovës përballen me një ndërthurje komplekse sfidash të shëndetit mendor dhe pasigurisë në punësim. Me një nga normat më të larta të të rinjve që nuk janë të përfshirë në punësim, arsim ose aftësim profesional (ang. Not in Employment, Education, or Training, shkurt NEET) në Evropë, që arrin në 31.4% për të rinjtë e moshës 15–24 vjeç, dhe nivele alarmante të ankthit dhe depresionit të raportuar, urgjenca për një ndërhyrje të koordinuar është e qartë.
Ky dokument politikash shqyrton se si shëndeti mendor dhe pasiguria ekonomike përforcohen në mënyrë të ndërsjellë dhe paraqet rrugë të zbatueshme për të përmirësuar mirëqenien dhe punësueshmërinë e të rinjve.

Duke u mbështetur në të dhëna origjinale nga një anketë me 400 të rinj në mbarë Kosovën, gjetjet tregojnë se pasiguria financiare, presioni akademik dhe pasiguria në tregun e punës janë faktorët kryesorë të stresit për të rinjtë. Megjithëse shumë prej tyre përjetojnë shpesh simptoma të shëndetit mendor, pak kanë besim tek institucionet ose kërkojnë mbështetje formale. Veçanërisht, vetëm 2.3% e të anketuarve kanë përmendur sfidat e shëndetit mendor si pengesë të
drejtpërdrejtë për punësim, duke theksuar dominimin e perceptuar të pengesave strukturore si mungesa e mundësive, mospërputhja e aftësive dhe nepotizmi.

Rekomandimet e politikave bazohen në zërin e të rinjve dhe janë në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare. Ato i japin prioritet integrimit të mbështetjes për shëndetin mendor në programet e punësimit dhe arsimit, zgjerimit të këshillimit në shkolla, nisjes së fushatave gjithëpërfshirëse për të rinjtë NEET, si dhe përfshirjes së indikatorëve të shëndetit mendor në strategjitë kombëtare të zhvillimit. Të rinjtë gjithashtu kërkuan veprime specifike, si: shërbime të shëndetit mendor falas ose me kosto të ulët, punë praktike të paguar që përfshin komponentë të shëndetit mendor, si dhe mundësi fleksibël për punë dhe studim.

Në fund, përmirësimi i shëndetit mendor dhe rezultateve të punësimit për të rinjtë do të kërkojë koordinim ndërsektorial, investime në besimin publik dhe mbështetje të përshtatur enkas për grupet e cenueshme, përfshirë gratë, të rinjtë në zonat rurale, komunitetin rom, komunitetin LGBTI dhe personat me aftësi të kufizuara. Ky punim ofron rekomandime praktike dhe të zbatueshme, të cilat, nëse implementohen, mund ta ndihmojnë Kosovën të ndërtojë një brez më të shëndetshëm, më të qëndrueshëm dhe më të përgatitur për të ardhmen.