• Shqip

Transporti publik dhe kopshtet si parakusht për zhvillim të hovshëm të vendit

22.10.2025

Kosova po përballet me një sfidë të dyfishtë që ndërlidhet mes vete: shpopullimin e fshatrave dhe mospërfshirjen e grave në tregun e punës. Në 10 vitet e fundit, vendi ka humbur rreth 150 mijë banorë (–9%), ku popullsia rurale ka rënë me 36% (290 mijë persona), ndërsa ajo urbane është rritur me 17%. Për herë të parë, më shumë se gjysma e qytetarëve jetojnë në zona urbane. Ky trend shpërnguljeje nuk është i qëndrueshëm dhe shpesh është i nxitur jo nga zgjedhja, por nga mungesa e shërbimeve bazike në fshat.

Në këtë dokument, Grupi i Grave Lobuese, me mbështetjen e D4D, propozon dy ndërhyrje kyçe, me efekt të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm:

Sfida #1: Mungesa e kopshteve publike në fshatra – Kujdesi dhe zhvillimi i hershëm i fëmijëve është vendimtar për suksesin e tyre në jetë. Sot, vetëm një pjesë e vogël e fëmijëve ndjekin kopsht, kryesisht në familjet urbane me dy prindër të punësuar. Kjo krijon pabarazi të thellë sociale dhe e mban barrën e kujdesit mbi gratë, duke i përjashtuar ato nga tregu i punës. Rekomandohet hapja e çerdheve rurale të integruara në rrjetin publik të arsimit, me planprogram bashkëkohor, si prioritet kombëtar.

Sfida #2: Transporti publik i subvencionuar – Mungesa ose kostoja e lartë e transportit është një pengesë madhore për gratë dhe familjet rurale në qasje në punë, arsim dhe shërbime shëndetësore. Rekomandohet subvencionimi i linjave të transportit rural për të siguruar lidhje të rregullta dhe të përballueshme mes fshatrave dhe qendrave urbane.

Te këto dy përfundime kemi arritur me 4 studime, raste studimore të 3 fshatrave në Kosovë nga tri zona të ndryshme dhe të studimit të të dhënave në nivel vendi, kryesisht bazuar në të dhënat e regjistrit të fundit të popullatës. Të tri fshatrat, ashtu si edhe të dhënat e regjistrimit të popullatës dëshmojnë se ka trend të madh të shpërnguljes. Rënia e numrit të banorëve e bën gjithnjë e më pak të levërdishme përmirësimin e shërbimeve. Sa më pak banorë që mbesin, më vështirë është të binden deputetët dhe këshilltarët komunal që të ndajnë buxhetin e duhur. Ky cikës vicioz tutje nxit shpërnguljen dhe shumë fshatra vetëm se kanë rënë nën një masë kritike që e katandis fshatin drejt braktisjes së tërësishme.

Nëse realizohen këto dy intervenime, mund të priten disa përfitime të ndjeshme:

Përfitimi #1: Rritja e punësimit të grave dhe zvogëlimi i varësisë nga skemat sociale.

Përfitimi #2: Ulja e shpërnguljes dhe gjallërimi i fshatrave.

Përfitimi #3: Rritja e të ardhurave familjare dhe zhvillimi ekonomik lokal.

Përfitimi #4: Përfitime afatgjata për ekonominë kombëtare: çdo 1 € i investuar në kujdesin e hershëm gjeneron deri në 7–10 € kthim.

Për këtë qëllim, Qeveria që do të formohet, me mbështetje bipartizane të tërë spektrit politik, të shpallë kopshtet dhe transportin publik rural si prioritet nacional dhe të dedikojë fonde të veçanta në buxhet.

Komunat ta përfshijnë këtë agjendë në programet zgjedhore dhe buxhetet lokale për vitet në vijim, duke e bërë pjesë të zotimeve publike për zgjedhjet e ardhshme.

Shoqëria civile të vazhdojë avokimin, monitorimin e zotimeve dhe mobilizimin e komuniteteve për të kërkuar shërbime të barabarta.

Ky dokument nuk ofron vetëm një zgjidhje sociale, por një strategji zhvillimore për të ardhmen e Kosovës – një vizion ku fshatrat nuk braktisen, ku gratë kontribuojnë barabartë në ekonomi dhe ku shërbimet publike janë të qasshme për të gjithë qytetarët, kudo që jetojnë.