Monitorimi i Shkeljeve gjatë Fushatës Zgjedhore në Mediat Sociale 2025

07.08.2025

Fushata zgjedhore në mediat sociale është karakterizuar nga një klimë e ashpër dhe jo konstruktive, ku sulmet personale dhe propaganda kanë zënë vendin e debatit demokratik. Kjo qasje ka ndikime afatgjata në perceptimin e qytetarëve për procesin zgjedhor dhe besimin e tyre në institucionet demokratike. Për të ardhmen, është e nevojshme një qasje më e rregulluar dhe më e mbikëqyrur e komunikimit politik në platformat digjitale, si dhe një angazhim më i madh nga institucionet për të luftuar gjuhën e urrejtjes dhe keqinformimin në fushatat zgjedhore.

Krahas përpjekjeve për të fituar mbështetje elektorale, një pjesë e madhe e fushatës është fokusuar në sulme ndaj kundërshtarëve politikë, duke krijuar një mjedis të ashpër dhe konfrontues. Subjektet politike nuk janë vetëm viktima të sulmeve, por edhe aktorë aktivë në përhapjen e narrativeve konfrontuese dhe shkeljeve të etikës zgjedhore. Me një përqindje të konsiderueshme të shkeljeve të regjistruara, duket se një pjesë e rëndësishme e strategjive zgjedhore është fokusuar në diskreditimin e kundërshtarëve, më shumë sesa në promovimin e programeve politike dhe ideve konstruktive.

Megjithatë, pjesa më e madhe e shkeljeve zgjedhore nuk është kryer drejtpërdrejt nga subjektet politike apo kandidatët, por nga akterë të jashtëm, si palët e treta dhe përkrahësit e ndryshëm. Akterët politikë mund të jenë duke përdorur rrjete joformale për të shmangur përgjegjësinë e drejtpërdrejtë për përmbajtjet problematike. Dominimi i shkeljeve nga palët e treta të lidhura me VVnë tregon një prani më të fuqishme të aktivizmit digjital në favor të këtij subjekti politik, por gjithashtu ngre shqetësime mbi mënyrën se si po zhvillohet debati politik në hapësirën digjitale. Kjo situatë vë në pah nevojën për rregullime më të forta dhe moderim të përmbajtjeve digjitale gjatë fushatave zgjedhore, për të garantuar një proces zgjedhor më të drejtë dhe të balancuar.