Transparenca, llogaridhënia, dhe pjesëmarrja qytetare janë elemente thelbësore të demokracive moderne, si në nivelin qëndror ashtu edhe në atë lokal. Komunat që qeverisin mirë, nuk qeverisin të vetme. Në fakt, qeverisja e mirë nënkupton institucione efektive dhe pjesëmarrje të të gjitha grupeve dhe interesave të shoqërisë. Në qeverisjet që bazohen në pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve, reflekohet më së miri parimi i llogaridhënies dhe transparencës institucionale.
Ofrimi i shërbimeve për qytetarë, transparenca, llogaridhënia, dhe pjesëmarrja qytetarë janë kruciale në arritjen e standardeve Evropiane të qeverisjes. Këto standarde, të konceptualizuara qysh më 2008 në Strategjinë e Inovacionit dhe Qeverisjes së mirë në Nivel Lokal e Këshillit të Evropës,janë standardet të cilat Komunat e Kosovës mundohen t’i arrijnë.
Kjo analizë e shkurtër, tashmë studim trendi e nisur në vitin 2019 nga Instituti Demokraci për Zhvillim, analizon perceptimet e qytetarëve lidhur me nivelin e zbatimit të tri parimeve bazë të qeverisjes lokale në Kosovë, saktësisht llogaridhënien, transparencën dhe pjesëmarrjen e qytetarëve. Për më shumë, qëllimi i këtij dokumenti analizues është ofrimi i rekomandimeve konkrete lidhur me forcimin dhe përmirësimin e politikave publike në fushat e lartpërmendura.
Të dhënat kryesore tregojnë që ende ka mungesë të ndërlidhjes së punës së komunave me kërkesat e qytetarëve, duke bërë kështu që llogaridhënia të mos jetë në nivel të kënaqshëm. Gjithashtu, sfidë për qeverisjet lokale në Kosovë mbetet edhe pjesëmarrje e qytetarëve në procese të rëndesishme vendimmarrësë, duke marrë parasysh se qytetarët nuk janë mirë të informuar për punën e komunave, dhe rrjedhimisht ata ndjejnë që shërbimet e marra nga zyrtarët komunal nuk janë në nivel të duhur të kënaqshmërisë.