Rekomandimet e Forumit Reforma: Struktura e KQZ-së

29.11.2011 D4D

Forumi Reforma propozon ndryshimet për përbërjen e KQZ-së si vijon:

  • Të emërohet një gjykatës shtesë si zëvendës Kryesues në rastet kur Kryesuesi nuk mund të ushtrojë funksionin e vet.
    • Me zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit krijohet konflikt potencial i interesit. Nëse disa javë para ditës së zgjedhjeve Kryesuesi i KQZ-së jep dorëheqje, mund të kemi një situatë ku Presidenti, që potencialisht mund të jetë kandidat edhe për një mandat, të emërojë Kryesuesin e KQZ-së. Kjo situatë mund të krijojë konflikt interesi dhe të ulë kredibilitetin e KQZ-së ku Kryesuesi si person me ndikim më të madh në KQZ të jetë emëruar nga një kandidat i cili vetë është në garë.
    • Për të parandaluar një situatë të tillë janë diskutuar modalitete të ndryshme (nga emërimi i Kryesuesit nga Kuvendi apo Presidenca e Kuvendit, si dhe mënyra tjera), megjithatë Forumi Reforma ka ardhur në përfundim që të sugjerojë emërimin e një gjyqtari të dytë si zëvendëskryesues, i cili nuk është anëtar i rregullt, por vetëm zëvendës i kryesuesit (me të drejtë vote vetëm në rast kur zëvendëson Kryesuesin), i emëruar në të njëjtën mënyrë sikurse Kryesuesi.
    • Duhet më tej që të detajizohet si të bëhet zgjidhja në rast që as zëvendës Kryesuesi nuk mund të ushtrojë funksionin. Gjithashtu duhet përcaktuar me ligj nëse Kryesuesi është me orar të plotë apo jo dhe obligimet e ndara në mes të Gjykatës dhe KQZ-së.
  • Kryetari i KQZ-së mos të ketë të drejtë abstenimi në rast të votimit të barabartë në mes të anëtarëve të tjerë.
    • Jo rrallë herë në të kaluarën ka ndodhur që institucioni i KQZ-së të vie deri në momente të bllokimit të vendimmarrjes. Madje një gjë e tillë ka ndodhur edhe në momentet me të rëndësishme kur është dashur të merren vendime qenësore për fatin e mëtutjeshëm të procesit zgjedhor.
    • Forumi Reforma sugjeron që në rast të barazisë së votave në mes të anëtarëve tjerë, Kryesuesi nuk ka të drejtë të abstenojë. Kjo arsyetohet me faktin se si gjykatës, Kryesuesi ka për obligim të mbrojë dhe të interpretojë ligjin si duhet. Në rast se megjithatë Kryesuesi zgjedh mos të votojë, ky abstenim duhet numërohet si votë kundër.
  • Të rritet numri i anëtarëve të KQZ-së në 13 dhe të balancohet me anëtarë të barabartë nga pozita dhe opozita, duke përjashtuar Kryesuesin.
    • Të balancohen anëtarët e KQZ-së, përjashtuar Kryesuesin, në numër të barabartë të përfaqësuesve ndërmjet pozitës dhe opozitës, gjashtë anëtarë nga pozita dhe gjashtë nga opozita. Së pari alokohen vendet e subjekteve që përfaqësojnë subjektet që garojnë për vende të rezervuara në Kuvend. Pastaj vendet tjera alokohen ashtu që të arrihet balanc i përgjithshëm në mes të pozitës dhe opozitës.
    • Vendimmarrja në KQZ ka qenë problematike dhe në raste të caktuara përfaqësuesit e opozitës janë mbivotuar nga përfaqësuesit e pozitës. Kosova ka një KQZ politike dhe si e tillë, interpreton dhe përcakton implementimin e kornizës ligjore dhe në rast të mbivotimit ka rrezik që të krijojë favore për subjekte të caktuara. Për shkak se KQZ përcakton dhe interpreton rregullat e lojës për zgjedhjet, është skajshmërisht e rëndësishme që mbivotimi të jetë sa më i rrallë për shkak se vie në pyetje kredibilitetin dhe profesionalizimin e KQZ-së.
    • Në rast të mbarimit të mandatit të ndonjërit anëtar, nominimin e bën sërish partia që e ka bërë nominimin e anëtarit të mëhershëm. Megjithatë nëse partia ka kaluar nga opozita në pozitë apo anasjelltas atëherë nominimin do ta bëjë partia tjetër e cila i plotëson kriteret. Më konkretisht, edhe nëse ndryshon statusi i partisë (nga pozita në opozitë ose anasjelltas) struktura e KQZ-së nuk ndryshon deri në mbarim të mandatit të anëtarit/anëtares.
  • Mandati i Kryetarit/Kryetares të mbetet 7 vite por me mundësi të rizgjedhjes vetëm për një mandat tjetër (pra 7+7).
    • Për shkak se Kuvendi ka mandat katër (4) vjeçar ndërsa presidenti 5 vjeçar, mandati i Kryesuesit të KQZ-së duhet të dallojë për të siguruar që nuk bëhet pjesë e marrëveshjeve politike nga mandati në mandat. Për këtë shkak, si dhe me qëllim të vazhdimësisë dhe konsistencës, ne rekomandojmë që mandati të mbetet 7 vite.
    • Mandati i Anëtarëve të mbetet 4 vite që koincidon me mandate te Kuvendit.Një zgjidhje e tillë është e logjikshme për vetë faktin që struktura e KQZ-së parashihet të reflektojë numrin e partive parlamentare që mund të ndryshojë me mbajtjen e zgjedhjeve të reja për Kuvend të Republikës. Të ketë dispozita të qarta ligjore që parandalojnë anëtarët e KQZ-së që të mbajnë poste tjera ekzekutive qoftë në parti politike apo institucione publike.
  • Emërimi i anëtarëve të KQZ-së të bëhet nga Presidenti i vendit, mirëpo të qartësohet procedura ligjore e emërimit, shkarkimit dhe mënyrës së zëvendësimit si dhe të kufizohet në 14 ditë si për dekretim të ligjeve për emërimin ose refuzimin e kandidatëve.
    • Baza e paqartë ligjore mbi të cilën mund të refuzojë Presidenti një nominim është problematike. Nëse një President garon, dorëheqja dhe mos emërimi i një anëtari për një kohë të gjatë në proces zgjedhor mund të jetë problematik dhe të ngrit dyshime në kredibilitetin e procesit zgjedhor.
    • Duke pasur parasysh që nominimi i kandidatëve të KQZ-së bëhet nga partitë politike ndërsa Presidenti i vendit vetëm i formalizon ato, atëherë për shkak të procedurës së thjeshtësuar të emërimit, do të ishte më efikase që procedura e emërimit të mbetet ashtu siç është tani. Emërimi nga Kuvend do të mund të shkaktonte vonesa në emërim përkatësisht funksionalizim të KQZ-së. Për këtë arsye dhe për të garantuar që roli i Presidentit mbetet vetëm ceremonial, duhet të sqarohet baza ligjore kur mund të refuzohet dhe të kufizohet përgjigja me një afat strikt kohor.
    • Duhet të ketë dispozita të qarta ligjore sa i përket kohëzgjatjes së procedurës së emërimit të një anëtari të KQZ-së nga Presidenti pas nominimit nga partia politike përkatëse, të ketë dispozita shumë të qarta se kur mundet presidenti të refuzojë një të nominuar për anëtar të KQZ-së si dhe kur mundet të bëjë përfundimin e parakohshëm të mandatit.