Rekomandimet e Forumit Reforma – Riparimi i listës së votuesve

29.11.2011 D4D

Një ndër problemet themelore në organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta janë pasaktësitë në listën e votuesve. Parakusht themelor për të pasur një listë të votuesve të pranueshme është që në atë listë të përfshihen vetëm personat të cilat i plotësojnë kushtet për të votuar, e harmonizuar me adresat e sakta të votuesve, që zvogëlon mundësitë e manipulimit dhe shmang nevojën për të pasur votim me kusht. Krahas kësaj duhet një koordinim në mes të institucioneve qendrore dhe lokale dhe një hapësirë më e madhe për sfidimin e listës së votuesve.

  • Audit i përgjithshëm i regjistrit civil qendror. Të bëhet një audit gjithëpërfshirës që identifikon gabimet, procedurat e pakënaqshme, shkallën e pasaktësisë, sa nga emrat janë të personave të vdekur, pasaktësitë teknike, sa jetojnë jashtë vendit, sa janë me adresa të gabueshme dhe problemet tjera. Një diagnostifikim i tillë do të informojë më saktë për politikat publike dhe vendimet që duhet të merren. Nëse ka pasaktësi të shumta, kjo justifikon edhe masa më rigoroze për riparim të listës, si p.sh. obligim ligjor që qytetarët brenda një viti të paraqiten në komunë për të azhurnuar adresën e tyre.
  • Listë unike e të dhënave të votuesve dhe integrim i të gjitha bazave të të dhënave. Kosova të ketë një listë unike të integruar të gjendjes civile prej nga edhe buron lista e votuesve. Për të krijuar një regjistër unik, duhet të bëhet prioritet integrimi i bazave të dhënave të gjendjes civile dhe regjistrit civil të MPB-së para zgjedhjeve të 2013 dhe të definohet qartë baza ligjore për këtë përmes akteve nënligjore të Ligjit për Gjendje Civile.
  • Në rast që nuk mund të integrohen bazat deri në vitin 2013, eventualisht të bëhet regjistrim aktiv i votuesve. Nëse MPB nuk mund të integrojë bazat e të dhënave dhe të përmirësojë regjistrin civil deri në 2013, KQZ mund të bëjë regjistrim aktiv të votuesve (listë të votuesve që përmban vetëm emrat e atyre që regjistrohen në KKV-të për të votuar në periudhën e caktuar). Ky opsion do të ishte i kushtueshëm, por i domosdoshëm për të parandaluar shkeljet dhe rikthyer besimin në procesin zgjedhor. Prandaj, autoritetet duhet të fokusohen në riparim të listës së tashme, por në rast të mos azhurnimit, një sistem i regjistrimit aktiv sado i kushtueshëm bëhet i arsyeshëm. Në këtë rast, KQZ duhet të ngrit kapacitetet njerëzore për teknologjinë informative për përmirësimin e parregullsive dhe të dhënave kontradiktore në ekstraktin civil, dhe t’ia përcjell përmirësimet MPB-së. Regjistrimi aktiv njëkohësisht do të riparonte një pjesë të madhe të pasaktësive në adresa.
  • Të rregullohet dhe obligohet me ligj azhurnimi i adresave dhe harmonizimi i p-kodeve. Të bëhet prioritet miratimi i Ligjit për Sistemimin e Adresave me aktet nënligjore si dhe të fillojë zbatimi përmes saktësimit të adresave të banorëve të Kosovës. Të obligohen të gjithë qytetarët që të verifikojnë dhe raportojnë adresën nëse është ndryshuar. Njëkohësisht, MPB-ja të harmonizojë adresat e personave të regjistrit civil me p-kodet të sakta që të lehtësohet caktimi i vend-votimit nga KQZ dhe të korrigjohet gabimi i bërë nga 2008 ku një p-kod është dhënë për gjithë komunën.
  • Raport efektiv në mes të komunave dhe MPB-së. Departamenti i Gjendjes Civile (MPB) të vazhdojë përmirësimin e koordinimit me zyrat komunale të gjendjes civile dhe mos të pranojë raportet e gjendjes civile pa kopjen e certifikatave si vërtetim të lindjes apo vdekjes së një personi. Për personat që raportojnë të afërmit e vdekur dhe dorëzojnë dokumentacionin, shpesh ndodh që komuna dërgon raportin në MPB pa ja bashkangjitur certifikatën që rezulton me largim të emrit vetëm nga gjendja civile dhe jo nga regjistri civil i cili më vonë përdoret për zgjedhje. Inspektorati i MPB-së të shkojë në gjitha komunat e Kosovës për të inspektuar se a janë mbledhur të gjitha certifikatave të vdekjes nga gjendja civile.
  • Shkëmbim i informatave me institucionet tjera. Departamenti i Gjendje Civile të bashkëpunojë me Entin Statistikor, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, si dhe bashkësitë fetare për mbledhjen e informatave mbi personat e vdekur të pa regjistruar. Bashkëpunimi ndërmjet këtyre institucioneve të jetë i obligueshëm dhe të parashihen masa ndëshkuese për institucionet të cilat nuk i respektojnë ato. Lejet e varrimit të krahasohen me numrin e certifikatave të vdekjes dhe të dhënat e bashkësive fetare përkatëse dhe në rast nevoje të kontaktohen të afërmit që të nxjerrin certifikatat. I njëjti bashkëpunim mund të mbledhë edhe adresën e fundit të personave dhe të azhurnojë në listën e unifikuar. Të shqyrtohet edhe mundësia që krahas lejes së varrimit, të ipet edhe certifikata e vdekjes me procedurë më të thjeshtësuar sesa tani. Bashkësitë fetare mos të kryejnë ritin e varrimit pa lejen e varrimit nga komuna.
  • Heqja e të vdekurve nga lista. Të gjenden mekanizma nga MPB për zbatimin e sanksioneve të parapara me Ligjin për Gjendjen Civile për moslajmërim të të vdekurve. Të hiqet taksa komunale për certifikatë të vdekjes si shtytje për raportim të të vdekurve në shkallë më të lartë. MPB të bëjë një fushatë për regjistrimin e personave të vdekur, përmirësimin e adresave dhe konfirmimin e të dhënave të qytetarëve në regjistër civil. Të parashihet një grejs periudhë për raportim të të vdekurve pa gjobë, dhe pas kësaj periudhe të parashihen gjoba serioze.
  • Të pastrohet regjistri civil nga qytetarë pa të drejtë vote. Në regjistër civil gjenden 400,000 emra më shumë sesa që qytetarët kanë dokumente të Kosovës. Për shkak të lehtësisë që janë marrë shumë dokumente të UNMIK-ut me procedurë të lehtësuar me dy dëshmitarë, dyshohet se ka votues që kanë marrë dokumentet e që fare nuk janë kosovarë. Duhet të bëhet një analizë e kësaj shpërputhje dhe të gjenden mënyra për të hequr persona jo-kosovar që kanë marrë dokumentet të UNMIK-ut më herët. Duhet t’u epet çdo mundësi personave të zhvendosur që të votojnë dhe të lehtësohen procedurat si për marrje të dokumenteve ashtu edhe për votim.
  • KQZ të përcjellë të dhënat në regjistër civil së paku deri kur të bëhet integrimi i bazës të të dhënave nga MPB. KQZ të përcjell tek regjistri civil të dhënat e ndryshimeve të banimit të votuesve gjatë periudhës së shërbimit të votuesve. Një personi mund t’i jetë korrigjuar vendvotimit për një palë zgjedhje, por nëse kjo e dhënë nuk është azhurnuar në regjistër civil atëherë për zgjedhjet e ardhme do të caktohet sërish në lokacion të gabuar. Kur të rregullohen adresat dhe krijohet një regjistrit civil i integruar, qytetarët, gjatë periudhës së sfidimit duhet të detyrohen të ndryshojnë të dhënat e tyre tek Zyra Komunale e Gjendjes Civile e jo tek KQZ. Në këtë rast, KQZ merr ekstraktin fillestar të regjistrit civil në momentin e shpalljes së zgjedhjeve, dhe pas përfundimit të periudhës së shërbimit të votuesve dhe periudhës së sfidimit të listës së votuesve kur dhe qytetarët të kenë përmirësuar të dhënat e tyre në komunë, KQZ merr ekstraktin final të regjistrit civil.
  • Koha dhe procedura e sfidimit të listës të fillojë nga data e shpalljes së zgjedhjeve. Të respektohet standardi i Komisionit të Venedikut që lista të jetë publike dhe të respektohet udhëzimi i OSBE-së që votuesit të kenë kohë të mjaftueshme për shqyrtim të informatave. Shpallja e listës së votuesve të bëhet publike që nga data e shpalljes së zgjedhjeve (4-6 muaj para ditës së zgjedhjeve) dhe deri në 3 javë para ditës së zgjedhjeve. Jashtë procesit zgjedhor, MPB-ja duhet të bëjë publike disa nga të dhënat jo-senzitive dhe që nuk kanë të bëjnë me privatësinë, si emri, mbiemri, ditëlindja dhe vendbanimi të jenë publik gjatë gjithë kohës nga regjistri civil. KQZ të obligohet që të bëjë një fushatë adekuate për azhurnim të listës.
  • Votimi nga Diaspora. Është rekomanduar dhe pritet që Grupi Punues i Zgjedhjeve të rekomandojë që diaspora të lejohet të votojë për zgjedhje të Kuvendit dhe eventualisht për ato presidenciale nëse ndryshon ligji. Për zgjedhjet lokale mendohet që diaspora nuk ka arsye të mjaftueshme që të votojë dhe se interesimi është tejet i ulët. Kjo e bën të domosdoshme që lista e votuesve të përpilohet në atë mënyrë ku qartazi mund të dallohen votuesit që jetojnë brenda dhe ata jashtë vendit.
  • Të përpilohet një listë e veçantë e votuesve për diasporën. Është problematike fakti se nga numri i madh i diasporës që kemi vetëm 5,000 prej tyre votojnë me postë. Duke pasur parasysh që një numër i madh i diasporës figuron në listë të votuesve ndërsa vetëm një numër i vogël i tyre voton, atëherë paraqiten mundësitë për manipulim dhe votim në emër të tjetërkujt. Për të evituar problemet e tilla, atëherë duhet të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme. Diasporës duhet t’i mundësohet që të votojë përmes një listë të veçantë të votuesve. Një opsion tjetër është që personat nga diaspora të shënohen si të tillë me hijezim apo ndonjë shenjë tjetër të qartë në listën e rregullt, por kjo nuk mënjanon mundësinë e votimit në emër të dikujt tjetër. Medoemos duhet të kërkohet një zgjidhje e cila nuk merr të drejtën e votës, por në të njëjtën kohë pamundëson votimin në emër të tyre gjatë votimit të rregullt.