Rekomandimet e Forumit Reforma – Sistemi zgjedhor

17.01.2011 D4D

Krijimi i zonave zgjedhore të merr për bazë ndonjërën nga ndarjet aktuale apo të mëhershme rajonale (të përdorura në forma të ndryshme nga institucione të ndryshme) në mënyrë që t’i iket themelimit të një komisioni të Kuvendit për përcaktim të zonave zgjedhore, ku zonat mund të ndahen në bazë të pazareve partiake dhe procesi mund të tejzgjatjet.

Rezoluta e Kuvendit të Kosovës e cila e mandaton krijimin e Komisionit Zgjedhor për Reformim të Sistemit zgjedhor kërkon krijimin e zonave zgjedhore në Kosovë, një kërkesë e kahershme e shoqërisë civile nga viti 2003. Edhe shumica e partive politike dhe akterëve tjerë të përfshirë në proces janë pajtuar që një gjë e tillë të ndodhë. Megjithatë, mënyra e ndarjes së zonave zgjedhore dhe numri i tyre akoma janë çështje që janë në diskutim e sipër.

Disa nga arsyet e krijimit të zonave elektorale që janë listuar në Forum janë:
– përfaqësimi më i mirë i gjithë Kosovës në Kuvend;
– forcimi i lidhjes në mes të një anëtari të zgjedhur dhe elektoratit;
– dobësimi i hierarkisë partiake dhe nxitja e demokratizimit të partive.

Duke pasur parasysh që nuk ka të dhëna të sakta se sa banorë ku jetojnë, çfarëdo organizimi i zonave zgjedhore nuk mund të shkelë kufijtë komunal. Në nivel më të lartë rajonal, procesi i ndarjeve të zonave elektorale duhet të jetë i qëndrueshëm dhe i mbrojtur ndaj pazareve politike. Në rast se vendoset që mos të merren parasysh ndarjet aktuale rajonale, atëherë do të mund të kemi një tejzgjatje të procesit, ide që nuk mund të realizohen teknikisht dhe politizim të ndarjeve me kritere partiake. Si shembuj të rajoneve, Kosova ka disa ndarje zonale ekzistuese që variojnë nga pesë zona (në bazë të gjykatave të qarkut), në gjashtë zona (sipas MPB-së), e deri në shatë zona (sipas Entit Statistikorë, kodeve telefonike, shtatë lokaliteteve me status qyteti dhe disa ministri të tjera).

Diskutimi mbi zonat zgjedhore është udhëhequr nga parimet vijuese:
– Pragu te aplikohet në nivel vendi dhe jo në zona;
– Të garantohet 30% për gratë;
– Sistem strikt proporcional;
– Fletëvotimet të jetë me emra;
– Të kemi lista të hapura;
– Shpërndarja e vendeve duhet të bëhet në nivel vendi.

Kosova të ketë shtatë (7) zona zgjedhore (në bazë të shtatë qyteteve dhe zonave të cilat përdoren nga Enti Statistikor i Kosovë dhe kodeve telefonike).

Forumi Reforma ka shqyrtuar disa opsione për ndarjen e Kosovës në zona zgjedhore. Në mesin e opsioneve të shqyrtuara nga Forumi Reforma kanë qenë ndarja e Kosovës në 5,6,7,8,26 dhe 37 zona, bazuar edhe në opsionet që janë shqyrtuar nga akterët tjerë të përfshirë në proces. Në bazë të diskutimeve të bëra në Forum, opsioni me shtatë (7) zona ka dalë si opsion më i balancuar në mesin e opsioneve tjera që kanë qenë në diskutim. Ky opsion(a) balancon më së miri në mes të zonave të vogla dhe 1 zone, dhe (b) përkon me organizimin më të shpeshtë rajonal në Kosovë. Po ashtu edhe fakti se Kosova ka shtatë qytete kryesore që u dihen komunat që i kanë në rajon të tyre prandaj dhe ndarja në shtatë zona nuk do të linte dy qytete të mëdha në një zonë. Propozimi me 5 zona zgjedhore do të linte Ferizajn (komunë kjo e treta me radhë në numër të popullsisë sipas regjistrimit civil 2011) nën rajonin e Gjilanit ndërsa Gjakovën (komunë me të njëjtën numër si Peja dhe më e madhe se Gjilani) në rajonin e Pejës. Opsioni me 7 zona do të kishte kundër vetëm një pjesë të Malishevës e cila preferon të mbetet në zonë me Prizrenin dhe rrjedhimisht konsiderohet si një ndër opsionet më të pranueshme.

Ndarja e ulëseve të bëhet me modelin 70/30 (70 ulëse në 7 zona dhe 30 ulëse kompenzuese në nivel vendi) në mënyrë që të ruhet kuota gjinore dhe të ruhet proporcionalitet i skajshëm

Dy prej parimeve të Forumit Reforma janë ruajtja e sistemit të skajshëm proporcional në nivel vendi dhe ruajtja e kuotës gjinore. Ndarja e 100 ulëseve (pa numëruar 20 ulëset e garantuara) përmes zonave nuk lë ulëse prej nga do të kompensohet proporcionaliteti dhe përfaqësimi gjinor. Po të aplikoheshin 7 zona pa kompensim, do të kishte për rezultat 5 ulëse më tepër për partinë më të madhe që do të vinin në llogari të partive më të vogla. Prandaj është e domosdoshme ndarja e 30 ulëseve kompenzuese. Këto do të shpërndaheshin tek kandidatët me më së shumti vota në radhë dhe për të përmbushur kuotën gjinore që mund të mos përmbushet vetëm përmes zonave.

Të ruhen listat e hapura por me modelin një-votë-një-kandidatë.

Kundër argumenti më i madh ndaj listave të hapura është se të njëjtat kanë mundësuar manipulime të votave përbrenda subjekteve politike. Sidoqoftë, për këtë duhet fajësuar votën preferenciale dhe jo domosdoshmërish listat e hapura. Mirëpo, dihet se qytetarët përkrahin listat e hapura dhe e pëlqejnë mundësinë e votimit sipas zgjedhjes së tyre e jo të partisë që ata preferojnë. Prandaj, në mënyrë që të ruajmë listat e hapura dhe njëkohësisht të parandalojmë mundësinë e vjedhjeve në mes të kandidatëve partiak, rekomandojmë që sistemi i ri zgjedhor të adaptojë modelin me ‘një tik’ ku listat do të ishin të hapura por votuesi të ketë mundësinë e zgjedhjes së vetëm një kandidati të partisë së preferuar. Gjithashtu, votuesi nuk do të kishte mundësinë që të votojë vetëm për partinë duke e lënë bosh emrin e kandidatit për shkak se pikërisht kjo paraqet edhe një mundësi për shkelje.

Fletëvotimet të jenë me emra dhe jo numra.

Një përparësi tjetër e krijimit të zonave zgjedhore është se e thjeshtëson procesin zgjedhor duke zvogëluar numrin e kandidatëve për tu zgjedhur në zona, pra vetëm kandidatët e asaj zone, dhe kështu e lehtëson gjetjen e kandidatëve në fletëvotim. Kjo do të ndikonte në uljen e fletëvotimeve të pavlefshme dhe të dëmtuara që shkaktohen për shkak të komplikimit të procesit të votimit. Në sistemin e tanishëm në çdo fletëvotim gjenden 110 numra përpos emrave të partive që garojnë në gjithë Kosovën dhe votuesi duhet të gjej numrin e kandidatit të preferuar nga një fletushkë shumë faqe që i epet. Krijimi i disa zonave do të mundësonte futjen e emrave të të gjithë kandidatëve të partive që garojnë në fletëvotim një-faqesh edhe pse në disa zona më të mëdha si ajo e Prishtinës, fletëvotimi do të duhej të ishte një format më i madh se A3. Ndërsa po të kishim sistemin 70/30 ku vetëm 70 ulëse dalin nga zonat atëherë në zonën e Prishtinës me 18 ulëse të mundshme, madhësia e fletëvotimit me të gjithë emrat e kandidatëve do të ishte e formatit A3, që për fletëvotim nuk konsiderohet si shumë e madhe.

Pragu të ulet në 3% në nivel vendi dhe mos të vlejë për kandidatë të pavarur dhe subjektet politike të pakicave etnike.

Pragu aktual prej 5% është shumë i lartë për disa parti që nuk kanë elektorat të madh por kanë programe të mirëfillta dhe ideologji të qarta. Skena politike në Kosovë nuk është konsoliduar sa duhet dhe prandaj duhet të ruhet një prag që mundëson hyrjen e alternativave të reja për të freskuar sistemin dhe për të shtuar pluralitet mendimesh. Mirëpo, edhe një prag natyral në nivel vendi apo shumë i ulët mund të sjellë parti që futen në koalicion dhe potencialisht të ndikonte në një koalicion jo shumë stabil. Prandaj, pragu duhet të jetë prej 3% në nivel vendi dhe në zona elektorale të mbetet pragu natyral që varion nga zona në zonë. Pragu kombëtar prej 3% realisht do të vlejë për të nxjerrë përfaqësimin e tërësishëm të një subjekti në nivel të vendit, dhe do të hyjë në efekt kur të shpërndahen vendet nga 30 ulëset kompenzuese.

Subjekti politik që kalon pragun e një zone dhe mund të marr një ulëse apo më shumë, atëherë duhet t’i lejohet ajo ulëse në Kuvend edhe nëse nuk e kalon pragun në nivel vendi.

Do të ishte e padrejtë nëse një subjekt politik merr vota të mjaftueshme për kalimin e pragut në një zonë (që është më i lartë se në nivel vendi) dhe mos t’i epet ulësja e fituar në atë zonë për faktin që mund të mos kaloj pragun e propozuar prej 3% në nivel vendi. Prandaj, një subjekt që fiton ulëse në zona nuk duhet t’i merren ato ulëse për shkak të pragut nacional. Në zgjedhjet e vitit 2010 po të kishim zona zgjedhore partia FER do të kishte kaluar pragun natyral të zonës së Prishtinës dhe kështu do të kishte fituar një ulëse në këtë zonë por për shkak të mos kalimit pragut në nivel vendi kjo parti do ta humbiste këtë ulëse. Prandaj, është e padrejtë që në sistemin zgjedhor me shumë zona nëse një parti arrin ta kaloj pragun zonal që është më i lartë se në nivel vendi (në zonën e Prishtinës do të ishte 5.8%) dhe të mos e merret atë ulëse që ja kanë besuar votuesit e rajonit të Prishtinës në këtë rast.

Emrat e kandidatëve të subjekteve pakicë mund të figurojnë në më tepër se një zonë.

Është praktikë ndërkombëtare që votat a pakicave mos të segmentohen, prandaj rrjedh propozimi që të lejohen kandidatët e subjekteve pakicë të figurojnë deri në tri zona zgjedhore.